Shqetësuese po konsiderohet rritja e rasteve të dhunës në familje në Kosovë. Në publikimin e udhëzuesit nga misioni i OSBE-së, për punë efektive të mekanizmave koordinues komunal kundër dhunës në familje, është thënë se kryerësit e këtyre veprave duhet të ballafaqohen me drejtësinë dhe viktimat kanë nevojë për mbrojtje.

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu u shpreh se janë duke punuar për hartimin e kurrikulave, që për bazë ka trajtimin e dhunuesve. Ajo theksoi se është me rëndësi përgjegjësia e të gjitha institucioneve që merren me trajtimin e rasteve të tilla.

Haxhiu: Ne jemi duke punuar për hartimin e kurrikulave për trajtimin e dhunuesve

“Ne jemi duke punuar për hartimin e kurrikulave për trajtimin e dhunuesve. Sa merremi me viktimat, duhet ta trajtojmë edhe këtë aspekt. Prandaj në kuadër të fushatës të 16 ditëve të aktivizimit kundër dhunës në familje, ne kemi lansuar kurrikulën për trajtimin e dhunuesve. Gjithashtu kemi lansuar edhe protokollin për trajtimin e rasteve të ngacmimeve seksuale, që është një dokument po ashtu i rëndësishëm që saktëson qartë dhe strikt detyrat e secilit institucion në raport me ngacmimet seksuale apo dhunën seksuale”, tha ministrja Haxhiu.

Më tej, e para e Drejtësisë shtoi se udhëzuesi për punë efektive të mekanizmave koordinues komunal kundër dhunës në familje është i treti për nga rëndësia e dokumenteve strategjike.

Haxhiu: Udhëzuesi është instrumenti i tretë për nga rëndësia e dokumenteve strategjike

“Udhëzuesi të cilën po e lansojmë sot, buron edhe nga strategjia dhe plani i veprimit kundër dhunës në familje dhe dhunës ndaj grave dhe është instrumenti i tretë për nga rëndësia e dokumenteve strategjike. Qëllimi i këtij udhëzuesi edhe themelimi dhe koordinimi i mekanizmit lokal koordinues, hartimi i procedurave dhe protokolleve, duke përfshirë bazën e të dhënave në nivel lokal, avokimi për ndarjen e buxhetit nga vendimmarrja komunale, definimi për shërbime specifike, por edhe ngritja e kapaciteteve”, shtoi ajo.

Ambasadori i OSBE-së në Kosovë, Michael Davenport tha se presin qe gjatë vitit të ketë një Ligj të ri për dhunën në familje. Ai tha se çdo lloj forme e dhunës në familje reflekton në pushtetin mes burrave dhe grave.

Davenport: Është shqetësuese që në Kosovë rastet e dhunës në familje janë në rritje

“Nuk mendoj se ka nevojë t’ju rikujtoj një audience si kjo se rrezikun që dhuna në familje paraqet dhe shkeljen e të drejtave themelore të njeriut. Dhe gjithashtu të theksojmë se kjo është një fenomen që është karakteristikë e të gjitha vendeve tona dhe kryesisht ndikon te gratë dhe vajzat dhe kanë ndikim shkatërrimtar në komunitete. Nuk mund të tolerojmë krime të tilla më. Kryerësit e dhunës në familje duhet të ballafaqohen me drejtësi, njësoj e rëndësishme është që viktimat e dhunës në familje që kanë nevojë për mbrojtje dhe qasje për një mbështetje që duhet të jetë e përshtatshme dhe me kujdes që përfshijnë strehimin, shërbimet sociale… Është shqetësuese se në Kosovë rastet e raportuara të dhunës në familje janë në rritje”, tha ai.

Davenport shtoi se këta udhëzues do te ndihmojnë institucionet gjegjëse dhe te njëjtit janë zhvilluar përmes një vlerësimi që është bërë paraprakisht.

Ambasadori i Francës në Kosovë, Olivier Guerot tha se ka hapa mbrapa të gjendjes së grave në botë, duke iu mohuar atyre disa të drejta që iu takojnë.

Guerot: Shohim hapa prapa në gjendjen e grave në botë

“Derisa shohim përparime, gjithashtu shohim edhe hapa prapa. Të drejtat seksuale dhe ri-produktive shpesh mohohen dhe për këtë arsyeje, posaçërisht të drejtat e abortimit mohohen dhe për këtë arsyeje është duke u bërë punë në parlamentin francez, me qëllim që të ndryshohet kushtetuta jonë për të dhënë abortit të drejtë kushtetuese… Pse po e financon Franca këtë projekt? Franca ka traditë të gjatë të angazhimit të drejtave të njeriut, jashtë Francës, sepse të drejtat e njeriut janë universale dhe ne e bëjmë këtë për shkak të solidaritetit me njerëz të vendeve të tjera”, tha diplomati francez.

Ky udhëzues është mbështetur nga Qeveria e Francës, ku për qëllim është që të përmirësohet bashkëpunimi ndërinstitucional në rastet e dhunës në familje dhe reagimin e politikave institucionale në nivel lokal. Udhëzuesi është në gjuhën shqipe, serbe dhe turke.

/TV Malisheva

Share.