170 mijë euro janë grumbulluar deri më tash në nën-llogarinë e thesarit të Kosovës, e të cilat janë identifikuar se janë mjete të ardhura nga diaspora.
Zëdhënësi i qeverisë në detyrë Perparim Kryeziu, ka thënë përmes telefonit, tha se kjo nën-llogari është hapur në kuadër të llogarisë së vetme të thesarit të Kosovës, në të cilën është paraparë të derdhen të gjitha mjetet e ardhura nga kreditë, grantet dhe donacionet e shteteve të ndryshme.
Ai tha se kjo nën-llogari nuk është hapur vetëm për diasporën, por për të gjitha mjetet që vijnë nga jashtë.
“Kjo nën-llogari nuk është hapur ekskluzivisht për diasporën, kjo është hapur për të gjitha mjetet të cilat pritet të vijnë nga jashtë duke përfshi kreditë, grantet, donacionet nga qeveritë e huaja donatorët e tjerë vullnet mirë, duke përfshi këtu diasporën, po edhe qytetarët e tjer . Deri më tash në nën llogarinë përkatëse kemi pranuar përafërsisht 170 mijë euro të cilat janë identifikuar si mjete të cilat kanë ardhur nga diaspora”, tha ai.
Kryeziu potencoi se këto mjete do të përdoren vetëm për luftimin e pandemisë COVID-19.
“Ato do të shfrytëzohen vetëm për luftimin e pandemisë dhe nuk mund të përdoren për ndonjë gjë tjetër, e që është luftimi i pandemisë, për sigurimin e mjeteve, pajisjeve të nevojshme të cilat i shërbejnë luftës së institucioneve ndaj pandemisë COVID-19”, u shpreh ai.
Ai deklaroi se do të jenë transparent me menaxhimin e këtyre fondeve dhe se pas përfundimit të pandemisë do të ketë ende fonde në këtë nën-llogari dhe të njëjtat mund t’iu kthehen donatorëve.
“Këto fonde duke qenë se janë të dedikuara për luftimin e pandemisë nuk do të përdoren për qëllime të tjera për aq kohë sa nuk e kanë lejen e donatorit. Pa lejen e donatorit këto mje te nuk mund të përdoren për qëllime tjera. Nëse mbesin fonde në nën-llogarinë e thesarit pas përfundimit të pandemisë, këta donatorë do të pyeten se çfarë mund të bëjmë me këto fonde. Me kërkesën e tyre ato mund t’iu kthehen donatorëve, po edhe me lejen e tyre mund të alokohen në linja të veçanta, të cilat kanë për qëllim përmirësimin e sistemit të shëndetësisë”, tha Kryeziu.
Ndryshe, kryeministri në detyrë Albin Kurti, më 12 prill, ka ftuar diasporën shqiptare të ndihmojnë Kosovën në tejkalimin e krizës me pandemi koronavirus, si pasojë e cilës deri më tash janë prekur 387 persona, prej tyre 66 janë shëruar dhe 9 kanë vdekur./TV Malisheva