Drejtori i përgjithshëm i Radio Televizionit Shqiptar Thoma Gëllçi, si edhe drejtuesit e tjerë të larte të RTSH, për të ndihmuar sadopak në lehtësimin e gjendjes së vështirë të krijuar nga koronavirusi, vendosën që të shkurtojnë rrogat e tyre në masën 50 përqind për tre muaj. Fondet e krijuara nga ky shkurtim do të kalojnë si donacion për Ministrinë e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, si kontribut modest i drejtuesve të Radio Televizionit Shqiptar për përballimin e situatës së jashtëzakonshme të krijuar nga pandemia e COVID 19.
Ky vendim, vjen në një situatë të rënduar nga emergjenca shëndetësore me pandeminë Covid 19, me të cilën nuk po përballet jo vetëm Shqipëria, por edhe gjithë bota dhe RTSH si transmetues publik, është i pari që jep shembullin në solidaritetin me ata që luftojnë në vijën e parë të zjarrit për të shpëtuar jetë dhe për të na siguruar sa me shpejt kthimin në normalitet.
Por, sikurse edhe gjatë tragjedisë me tërmetin e 26 Nëntorit, vetë RTSH vazhdon të jetë në vijën e parë të kësaj beteje në shërbim të publikut, me informacion përgjatë 24 orëve, me raportime nga gazetarët e tij në Tiranë dhe në rrethe, me lidhje direkte dhe intervista me protagonistët e luftës ndaj COVID 19, mjekët, me personalitete të shëndetësisë, brenda dhe jashtë vendit, raportime me gazetarë nga vendet e ndryshme të Evropës dhe SHBA, ku kjo sëmundje po shkakton emergjencë dhe viktima, e ku jetojnë me mijëra shqiptarë, ekspertë të ekonomisë, artistë dhe përfaqësues të të gjithë shoqërisë.
Në kushtet e vështira dhe emergjente të kësaj situate, të gjitha kapacitetet njerëzore të teknikës vazhdojnë punën 24 orë për të siguruar në këto kushte të vështira transmetimin e rrjetit të RTSH në të gjithë skajet e Shqipërisë. Falë punës së palodhur sigurohet mbajtja në punë e rrjetit të transmetimeve tokësore anë e mbanë vendit dhe mos ndërprerja asnjë çast e sinjalit në të cilin mbështeten jo vetëm transmetimet e RTSH, por edhe të shumë operatorëve privatë, lokalë dhe kombëtarë.
Por jeta vazhdon edhe ne situatën e COVID 19. Misioni i RTSH nuk është vetëm informimi, por edhe edukimi i shoqërisë. Në këtë periudhe të vështirë, kur me dhjetëra e mijëra fëmijë, nxënës e të rinj nuk mund të shkojnë në shkollë, RTSH ka hapur ekranin dhe ka nisur transmetimet e mësimit përmes rrjetit të tij në kanalin e parë RTSH 1 dhe me një kanal të ri të platformës RTSH Shkollë, me mësues të dedikuar për të shpjeguar mësimet për të gjithë ciklin e ulët dhe të mesëm në mënyrë që nxënësit të mos humbasin asnjë orë mësimi dhe të mbyllin sa më normalisht vitin arsimor.
Ndonëse në situatë të vështirë, RTSH ka një mision edhe për argëtimin e publikut. Krahas paketës së kanaleve tematike të saj me filma, argëtim për fëmijë, dokumentarë dhe muzikë, kapacitetet prodhuese të transmetuesit publik po organizojnë punën për të sjellë një buqetë sa më të larmishme programesh të reja për shqiptarët, si edhe duke riformatuar programet, emisionet ekzistuese në përshtatje me kushtet e reja që po kalon Shqipëria.
Qëndroni në shtëpi, qëndroni me ne, në ekranin e RTSH, ekranin tuaj!

Share.