Ka rënë sërish numri i të infektuarve me koronavirus në Shqipëri.

Pas disa ditësh me mbi 20 raste, sot Ministria e Shëndetësisë raporton se kanë rezultuar pozitivë vetëm 6 persona.

Sipas MSH-së, 4 prej rasteve të reja janë në Tiranë, ndërsa dy të tjerët janë në Durrës dhe në Mat.

Ndërkohë, aktualisht po trajtohen 28 të prekur në Spitalin Infektiv, nga të cilët 3 janë në terapi intensive, njëri prej tyre është i intubuar.

Deklarata e dr. Eugena Tominit nga Instituti i Shëndetit Publik:

Ju informojmë rreth situatës së COVID 19 në Shqipëri. Pavarësisht tendencës së rritur të rasteve të konfirmuara pozitive gjatë javës së shkuar, të evidentuara në dy vatra të reja, aktualisht po shohim që situata epidemiologjike paraqitet e qëndrueshme.

Strategjia e lehtësimit të masave do të vijojë paralelisht me një shkallë më të lartë të gatishmërisë të strukturave epidemiologjike, për identifikimin e rasteve dhe gjurmimin e thelluar epidemiologjik. Në 24 orët e fundit janë kryer 102 testime në Laboratorin e Virologjisë në Institutin e Shëndetit Publik, nga të cilat janë konfirmuar 6 raste pozitive, përkatësisht janë 4 në Tiranë (nga te cilët një personel shëndetësor), 1 rast në Durrës dhe 1 në Mat.

Të identifikuarit pozitivë për COVID-19 në 24 orët e fundit janë kontakte dhe raste të reja, për të cilat po kryhet hetimi epidemiologjik. Aktualisht po trajtohen 28 të prekur në Spitalin Infektiv, nga të cilët 3 janë në terapi intensive, njëri prej tyre është i intubuar.

Në 24 orët e fundit janë shëruar 5 qytetarë, duke e çuar në 877 numrin e të shëruarve. Nga fillimi i epidemisë janë kryer mbi 16 mijë testime molekulare dhe serologjike. Që nga fillimi i epidemisë janë 1143 rast e të konfirmuara. Aktualisht janë 233 persona aktivë me COVID-19, kryesisht ne Tiranë, në Durrës dhe në Krujë.

Nga sot do të fillojë lehtësimi më i madh i masave që nga fillimi i epidemisë, me heqjen e të gjitha kufizimeve të lëvizjes, me hapjen e kufijve tokësorë dhe një seri aktivitetesh të tjera. Do të vijojnë të jenë të ndaluara aktivitetet dhe grumbullimet masive, që konsiderohen me rrezik të lartë për përhapjen e COVID-19.

Ministria e Shëndetësisë dhe e Mbrojtjes Sociale fton qytetarët të tregohen të kujdesshëm dhe të mos e ulin vigjilencën. Është në dorën e qytetarëve që situata epidemiologjike të mbahet nën kontroll, duke respektuar rregullat e vendosura për të ruajtur veten dhe të afërmit.

Mos neglizhoni shenjat e sëmundjes dhe për çdo shqetësim telefononi në numrin unik të Urgjencës Kombëtare, 127. Për informacion në lidhje me COVID-19 dhe këshillim psikologjik, ju lutemi, telefononi në linjën e gjelbër 0800 40-40.

COVID-19 – statistika (1 qershor 2020)
Testime totale 16277
Testime molekulare 14825
Testime serologjike 1452
Raste pozitive 1143

Raste të shëruara 877
Raste aktive 233
Humbje jete 33 (Qarku Tiranë 20, Durrës 6, Fier 3, Vlorë 1, Shkodër 2, Kukës 1)
Shpërndarja gjeografike e rasteve aktive është si vijon:
Tiranë 147
Durrës 28
Krujë 17
Shkodër 10
Kamëz 10
Mat 9
Lushnje 6
Berat 2
Fier 2
Korçë 1
Librazhd 1.

Share.