Famullitari i Prishtinës, Don Fatmir Koliqi ka njoftuar se nesër do të mbahet Mesha e Shenjtë dhe ka bërë të ditur udhëzimet që duhet t’u përmbahen besimtarët gjatë meshës.
Njoftimi i plotë:
Ju ftoj që kur të vini nesër në meshë, në hyrje të dezinfetoheni dhe pastaj të ulur të mbani udhëzimet që janë publikuar nga Qeveria e Kosovës, që janë: të mbani distancën e nevojshme (së paku një metër), të mos ia jepni dorën askujt, pasi përshëndetjen e paqes do ta bëjmë me “dorën në zemër” ose me një përkulje të thjeshtë. Kungimin do ta merrni të gjithë në dorë.
Në hyrje të kishës nuk do të vetëbekoheni me ujë të bekuar, por këtë do ta bëjmë ne për të gjithë ju në fillim të meshës.
Ata që janë të moshuar, shnetligj ose ata që supozohet se në çfarëdo rrethane kanë mund të kenë qenë të infektuar, le të qëndrojnë në shtëpitë e tyre nga ku mund ta përcjellin meshën përmes Radio Marisë Kosovë.
Ju informoj, se Katedrala ka qenë e dezinfektuar këto ditë, dhe të njëjtën gjë do ta bëjmë edhe nesër para meshës.
Do të vazhdojmë ta lusim Zotin, që të kemi aftësinë dhe guximin e shenjtë për t’u përballur me çdo sfidë, por pa krijuar panik e as pa qenë indiferentë ndaj këtyre masave, por me urtësi dhe arsye personale dhe bashkësiore.
Ndërmjetësia e Shën Nënë Terezës, pajtorës së Katedrales sonë, na shoqëroftë e na ruajt nga çdo e keqe!