Deklarimi i zëvendëskryeministrit të Kosovës, Besnik Bislimi, se në dialogun me Serbinë është gjetur pajtimi që të hapen të gjitha arkivat, përfshirë ato për Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës, bëri që të ngritën shumë reagime.

Për këtë çështje, TV Malisheva ka kontaktuar me njërin nga krerët e Organizatës së Veteranëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Metush Kryeziut, anëtar i kryesisë së OVL-së së UÇK-së, në një prononcim për TV Malisheva ka thënë se Ushtria Çlirimtare e Kosovës ka asnjë arkiv.

Kryeziu ka theksuar se arkiva e vetme e saj janë muzetë, varrezat e lapidarët e dëshmorëve.

“Duhet ditur nga të gjithë se arkiva Ushtria Çlirimtare e Kosovës nuk ka. Arkiv e luftës së shenjtë të UÇK-së janë dëshmorët e saj. Është lufta e saj e shenjtë, është Radio Kosova e Lirë e cila ka raportuar se si ushtarët e UÇK-së po qëndronin stoikisht në beteja e në vijat e para të frontit, tjetër arkiv UÇK-ja nuk ka. Muzetë, varrezat e lapidarët e dëshmorëve, janë arkiva e vetme saj”, ka thënë Kryeziu për TV Malisheva.

Kurse, për zëvendëskryeministrin e Qeverisë së Kosovë, Kryeziu ka potencuar se nëse ky i fundit ka ndonjë dosje tjetër, kjo mbetet një çështje e për ta prezantuar para palës serbe.

“Sa i përket zëvendëskryeministrit Besnik Bislimi, në qoftë se ka arkiva ose kanë krijuar ndonjë dosje tjetër, kjo është një çështje e tyre”, u shpreh me tej ai.

Ndërsa, në fund, Kryeziu për TV Malisheva ka nënvizuar se luftën e pastër të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës e dëmton kushdo që flet e nuk ka qenë pjesë e saj, pasi që mendon se me këtë barazohet krimi me luftën çlirimtare.

“Luftën e UÇK-së e dëmton kushdo që përzihet në këtë luftë, e që nuk ka qenë pjesë e saj, sepse nuk dinë asgjë për vlerat e asaj lufte. Po barazohet krimi me luftën çlirimtare të UÇK-së. Ata kanë rënë në gracë të delegacionit serb, kur dihet se çfarë ka bërë Serbia dhe cilat janë arkivat e saj. UÇK-ja nuk ka pas asnjë mundësi që të ketë arkiva, por vetëm dokumentar dhe incizime të varrezave”, ka deklaruar Metush Kryeziu për TV Malisheva. /TV Malisheva

Share.