Bordi i përkohshëm i Drejtorëve të Ndërmarrjes “Posta e Kosovës” ka bërë shkarkimin e kryeshefit ekzekutiv dhe zyrtarit kryesor financiar. Për këtë ministrja në detyrë e ekonomisë, Rozeta Hajdari deklaroi se në tri vitet e fundit kjo ndërmarrje publike kishte pësuar degradim të madh. Sipas saj, këto shkarkime janë në përputhje me Ligjin për Ndërmarrjet Publike.

Ministrja në detyrë e MEPTINIS-it në një konferencë për media tha se “Posta e Kosovës” kishte marrë një opinion të kundërt nga Zyra Kombëtare e Auditimit, opinion ky që sipas saj, ishte më i keq që mund të ketë qenë ndër vite.

Ajo tha se në përputhje me ligjin dhe për të ndalur degradimin e ndërmarrjes, u shkarkuan kryeshefi ekzekutiv i Postës së Kosovës, Shefqet Avdija dhe zyrtari kryesor financiar i Postës, Behxhet Maliqi.

Hajdari: Ndërmarrja ishte degra duar në tri vitet e fundit

 

“Ky shkarkim është bërë në përputhje me Ligjin për Ndërmarrjet Publike dhe reagimi ishte i shpejtë me qëllim të ndaljes së degradimit të kësaj ndërmarrje pasi që nga raporti i zyrës së auditorit të jashtëm por gjithashtu edhe të raportit të auditorit të brendshëm shihet se ndërmarrja kishte degraduar në 3 vitet e fundit. Është me rëndësi t’iu jap një statistikë të gjitha humbjeve vit pas viti në 3 vitet e fundit dhe kjo sjell këtë statistikë: Trendi i humbjes financiare ka vazhduar nga viti në vit përkatësisht nga një humbje totale që ishte prej 1,584,554 euro në vitin 2016, ajo ishte rritur në 1,942,991 euro në vitin 2017 dhe në vitin 2018 humbja ishte në 2,333,841 euro. Për më tepër ndërmarrja publike ‘Posta e Kosovës’ kishte marrë një opinion të kundërt nga Zyra Kombëtare e Auditimit, opinion ky i cili ishte më i keq që mund të ke të qenë ndër vite dhe i marrë nga auditori”, tha ajo.

Ndër të tjera, Hajdari tha se si qeveri janë të obliguar që të veprojnë në bazë të Ligjit për Ndërmarrje Publike, dhe bordi të reagojë shpejt me qëllim të ndalimit të keqmenaxhimit të parasë publike.

Ndëkaq, kryesuesi i bordit të “Postës së Kosovës”, Mentor Arifaj tha se kanë gjetur 17 gjetje. Ndër të tjera, sipas tij në bazë të raportit thuhet se nga viti 2012 deri në fund të vitit 2018, kjo ndërmarrje publike ka shënuar humbje prej 19 milionë eurove.

Arifaj: Ka pasur humbje prej 19 milionë euro

 

Ekuiteti në vitin 2012 ka qenë rreth 30 milionë dhe mandej ai ekuitet ka vazhduar te bie diku rreth 11 milionë euro. Do të thotë kompania diku është në humbje për 19 milionë euro në vazhdimësi prej fundit të vitit 2012 deri në vitin 2018. Është detyrë e caktuar e menaxhmentit e cila duhet të ndërmarrë hapa të caktuar, në të cilat trendet e humbjes duhet t’i planifikojnë edhe t’i kumtojnë tek aksionari i kompanisë”, tha Arifaj.

Ndër të tjera, ai tha se Bordi i Përkohshëm i Ndërmarrjes “Posta e Kosovës”, ende s’ka marrë ndonjë vendim për pagat.

Arifaj: Ende nuk ka marrë vendim bordi për pagat në Postën e Kosovës

 

” Bordi ende nuk ka marrë ndonjë vendim, ne do t’i shqyrtojmë të gjitha listimet e pozitave që janë në Postën e Kosovës, dhe mandej bashkërisht do të vendosim. Në rajon paga mesatare nëpër kompanitë postare, është më e vogël se mesatarja në atë vend, kurse në Kosovë paga mesatare në ndërmarrjen publike ‘Posta e Kosovës, është mbi dyfish të mesatares që ekziston në Kosovë”, deklaroi ai.

Share.