Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj i është përgjigjur pozitivisht takimit me kryeministrin, Albin Kurti.

Pas diskutimit mbi një orësh në ndërtesën e Qeverisë së Kosovës, kreu i AAK-së tha se i ka ngritur disa shqetësime Kurtit. Sipas tij, mungesa e prezencës së ShBA-së në dialog, konfuzioni në agjendën e dialogut dhe ikja prej faktit që Kosova ka bërë luftë çlirimtare nuk i bëjnë mirë vendit.

Haradinaj, para mediave tha se emërimi i një emisari për dialogun nga ShBA është i nevojshëm për Kosovën.

Haradinaj: Është një mungesë e prezencës të SHBA-së në dialog

“Ajo që hetojmë ne është një mungesë e prezencës së SHBA-së në dialog. Mendoj se kjo është një situatë jo e mirë për Kosovën e prish bilancin e interesave të Kosovës në dialog. Do të ishte mirë emërimi i një emisari për dialogun nga Amerika nga presidenti Biden që e përfaqëson Amerikën në procesin e dialogu”, tha ai.

Ai tha se në disa raste ka konfuzion në agjendën e dialogut, të cilat po paraqitet edhe si procese teknike.

Haradinaj: Ka konfuzion në agjendën e dialogut

“Ajo që është pak shqetësuese është se ka konfuzion në agjenda në disa raste, në disa zhvillime prezantohen si agjendë e procesit të Berlinit. Çështja e lëvizjes se qytetarëve me Bosnjën. Në raste të tjera si proces teknik i dialogut, e shohim që peshën kryesore në dialog e ka Lajçak, por që është një nivel i ulët i përfaqësimit në agjendë, nuk janë liderët, pra nuk shihet një agjendë e plotë. E ardhmja e dialogut është mos të kemi befasi dhe të mos mbesim në ato që na obligon Kushtetuta e vendit”, tha Haradinaj.

Krahas kësaj, Haradinaj tha se ka një tendencë të ekzekutivit për t’i ikë luftës për liri dhe trashëgimisë së UÇK-së.

Haradinaj: Hetojmë në vazhdimësi një lloj ikje prej faktit që Kosova ka bërë luftë çlirimtare

“Ishin edhe disa shqetësime tjera lidhur me pozicionin e qeverisë dhe kryeministrit Kurti, hetojmë në vazhdimësi një lloj ikje prej faktit që Kosova ka bërë luftë çlirimtare që UÇK-ja është ajo që e sjelli lirinë e ndihmuar prej NATO-së dhe se Kosova nuk mund të barazohet me vendet e rajonit për kriminel lufte. Pra termi se Ballkani duhet të lirohet nga kriminelet e luftës nuk është drejtë…I vetmi vend sipas meje ose siç është dashtë ta thotë kryeministri është që Serbia ka nevojë për demilitarizim, ka nevojë me u çliruar prej kriminelëve të luftës. Në parlamentin e Kosovës i kemi dy zonja që përfaqësojnë plagët e Luftës. Kryeministri ka plotësisht të drejtë që një vend duhet me u çliruar prej kriminelëve të luftës, Serbia. Jo me u gjeneralizua. Një tendencë me i ikë luftës për liri trashëgimisë së UÇK-së është gabim se ajo luftë është themeli i lirisë sonë”, u shpreh ai.

I pyetur rreth pyetjeve të tij në adresë të kryeministrit Kurti për rekrutimin nga shërbimet sekrete serbe, Haradinaj tha se të njëjtat ia ka bërë edhe ballë për ballë, por nuk tregoi për përgjigjet e tij.

Në kuadër të takimeve me liderët opozitarë, nesër kryeministri Kurti pritet të takojë edhe liderin e LDK-së, Lumir Abdixhiku./TV Malisheva

Share.