Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Haxhi Avdyli ka përsëritur sot qëndrimin e tij kundër mocionit të mosbesimit për rrëzimin e Qeverisë Kurti.
Në seancën e jashtëzakonshme të Kuvendit të Kosovës, Avdyli ka deklaruar se mocioni i iniciuar nga LDK-së, pjesë e së cilës është edhe ai, është i nxituar dhe si i tillë edhe duhet të shtyhet.
Avdyli: Mocioni duhet të shtyhet, derisa të piqen kushtet demokratike
(Video)
“Mocioni është i nxituar dhe duhet të shtyhet. Para rrëzimit të qeverisë, para fatit personal të çdo politikani sot duhet të vendosim fatin e dy milionë qytetarëve, fatin e nënave dhe baballarëve tanë, të cilët në këto momente mund të jenë të infektuar, dhe mund të infektohen nga pandemia. Sot duhet të vendosim fatin e mijëra qytetarëve tanë, të cilët janë të papunë dhe do të rrinë pa paga në shtëpitë e tyre. Mendoj se nuk duhet që ky vend të bëjë salto mortale-politike që të rrëzojmë një qeveri pjesë e së cilës është edhe LDK-ja me ministra të suksesshëm, të cilët kanë marrë masa shumë të suksesshme për menaxhimin e pandemisë. Mocioni duhet të shtyhet derisa të piqen kushtet demokratike e ato kushte demokratike janë edhe atëherë kur kemi mundësi për zgjedhje. Prandaj unë sot votoj kundër mocionit dhe marrë përgjegjësinë personale dhe politike”, ka deklaruar Avdyli.
Kuvendi i Kosovës po diskuton sot në seancë të jashtëzakonshme mocionin e mosbesimit ndaj Qeverisë Kurti, të iniciuar nga partneri i koalicionit LDK, pas prishjes së raporteve me Vetëvendosjen për shkak të shkarkimit të ministrit të Brendshëm Agim Veliu që vjen nga radhët e partisë së Isa Mustafës. /TV MALISHEVA/