Praninë e saj në protestën e organizuar përballë Ministrisë së Drejtësisë, pas vrasjes së një 18-vjeçare nga Ferizaj, ministrja e drejtësisë, Albulena Haxhiu, po e konsideron si një formë mbështetjeje nga ana e saj rreth kërkesave të protestuesve.

Haxhiu tregoi në detaje se me çfarë mendimi i ishte bashkuar protestuesve, ndonëse më pas mori kritika edhe nga vet organizatorët e kësaj proteste e ku brohoritej, ‘ministria i ka duart me gjak‘.

“Arsyeja pse kam protestuar në Ferizaj ka qenë si shenjë proteste ndaj veprimeve të Policisë, prokurorisë dhe Gjykatave. Gjegjësisht, ndaj mos veprimit të tyre karshi rasteve të dhunës në familje. Arsyeja se pse kam qenë në kohën kur kanë ardhur në Ministrinë e Drejtësisë është jo për faktin që të protestoj, por që me prezencën time aty, t’i përqafoj kërkesat që i ka pasur grupi i protestuesve,“, u shpreh ajo.

Më 26 gusht, dhjetëra protestues ishin mbledhur pranë objektit të Ministrisë së Drejtësisë ku po kërkohej shkarkimi i të gjithë gjykatësve, prokurorëve dhe policëve që sipas tyre nuk po i trajtojnë rastet me seriozitet e sipas Kodit të Procedurës Penale.

“Krejt vrasësit e grave po ju dalin recidivistë”, “Poshtë institucionet patriarkale”, “Kjo ministri i ka duart me gjakun e grave”, “Jeta e grave hajgare për shtetin” ishin vetëm disa nga thirrjet që u panë në këtë protestë të organizuar nga Kolektivi për Mendim dhe Veprim Feminist-QIKA, Rrjeti i Grave të Kosovës, Iniciativa e të Rinjve për të Drejtat e Njeriut dhe Qendra Kosovare për Studime Gjinore.

Protesta erdhi pak ditë pas vrasjes së Marigona Osmanit, 18-vjeçares nga Ferizaj e cila u vra nga Dardan Krivaqa.

Share.