Zëvendëskryeministri i shkarkuar i Qeverisë së Kosovës, Avdullah Hoti ka akuzuar kryetarin e Mitrovicës Agim Bahtiri për deklarimet e tij lidhur për vëllavrasje, duke thënë se fatmirësisht populli i Kosovës e ka kaluar kohën e gjakderdhjes dhe se nuk do të ketë asnjë gjakderdhje tjetër.

Ai në një postim në Facebook thotë se këto ditë është përmendur shpesh fjala “gjakderdhje” nga disa politikanë, aq shumë saqë është bërë term i përdorur edhe në diskutime të problemeve financiare dhe ekonomike.

“Të gjitha çështjet e pazgjidhura në politikën e brendshme dhe të jashtme, sado të vështira të jenë, do të zgjidhen me mjete politike, demokratike e kushtetuese.
Këtë e sigurojmë ne, dhe ndjehemi besimplotë në këtë lloj qasje të zgjidhjes së çështjeve të hapura politike, sepse kështu na sigurojnë miqtë tanë euroatlantikë.

Por, për fat të keq ende mbijetojn politikanë në Kosovës që në projektet e tyre të garës politike zë vend termi “gjakderdhje” në kuadër të përpjekjeve për arritje të qëllimeve të tyre politike.

Për fat të mirë, populli i Kosovës e ka kaluar kohën e gjakderdhjes. Nuk do të ketë asnjë gjakderdhje tjetër”, shkruan Hoti.

Lidhur me deklarimet e tij, kryetari i Mitrovicës Agim Bahtiri është ftuar për intervistim në prokurori, ku ai ka thënë se deklarata e tij në media për vëllavrasje është nxjerrë nga konteksti./TV MALISHEVA/

Share.