Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Eliza Hoxha, ka thënë sot në konferencë për media se PDK përshëndet deklaratën e Departamentit Amerikan të Shtetit e cila sipas saj demantoi kryeministrin e shkarkuar Albin Kurti që në ditën e fundit si kryeministër keqpërdori foltoren e Kuvendit për të dezinformuar qytetarët se gjoja ekziston një marrëveshje e fshehtë për ndarjen e Kosovës.

Përpos kësaj, Hoxha tha se kjo deklaratë, që vjen nga nivelet më të larta të aleatit tonë më të madh, e konsiderojnë jo vetëm manifestim të mbështetjes së madhe për shtetin tonë, por edhe dëshmi të qëndrimit të unifikuar që ka Shtëpia e Bardhë dhe Departamenti i Shtetit përkundrejt Kosovës.

Hoxha: Shqetësim shtrembërimi i së vërtetës nga Kurti

“Njëherazi, na vjen keq që partnerët tanë janë detyruar të bëjnë këtë përgënjeshtrim si pasojë e mashtrimeve publike që kanë ardhur në vazhdimësi nga kryeministri i shkarkuar Kurti dhe veçanërisht në seancën e rrëzimit të Qeverisë. Ne shprehim shqetësimin për rrezikun e madh që sjell shtrembërimi i së vërtetës mbi qëndrimet e aleatëve tanë amerikanë. Këto manipulime, jo vetëm dëmtojnë partneritetin tonë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, por edhe cenojnë rëndë dinjitetin dhe reputacionin e shtetit të Kosovës”, tha Hoxha.

Zyrtarja e lartë e PDK-së tha se partia e saj është i vetmi subjekt politik në vend që ka dhënë një vizion të qartë për dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, duke propozuar një platformë konkrete për këtë proces që në muajin prill të vitit 2018.

Sipas saj, platforma e PDK-së shpreh qartë qëndrimin për të mos negociuar karakterin unitar të shtetit, sovranitetin dhe integritetin e Republikës së Kosovës. Për të, kjo platformë synon të orientojë dialogun drejt arritjes së një marrëveshje gjithëpërfshirëse, ligjërisht të obligueshme në rrafshin e të drejtës ndërkombëtare, që garanton njohjen nga Serbia dhe anëtarësimin e Kosovës në OKB dhe në të gjitha organizatat e tjera të rëndësishme ndërkombëtare.

Hoxha: Dialogu, proces i rëndësishëm

“Për Partinë Demokratike të Kosovës, dialogu është proces shumë i rëndësishëm, sepse me anë të tij mund të përmbyllet procesi i shtet-ndërtimit të Kosovës dhe të kurorëzohet plotësisht subjektiviteti ndërkombëtar i saj. Po ashtu, orientimi gjeopolitik drejt perëndimit dhe forcimi i aleancës me Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë ndër shtyllat kryesore të trashëgimisë politike të krijuar nga partia jonë. Prandaj, ne jemi të gëzuar e mirënjohës për fokusin e shtuar të partnerëve tanë amerikanë në ballafaqimin me sukses të sfidës së dialogut”, vijoi Hoxha.

Në fund, Hoxha tha se PDK gjen rastin që të deklarojë sërish, se i konsideron si prioritet kryesor lidhjet afërta dhe të veçanta me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe do të vazhdojë që të punojë për t’i konsoliduar edhe më tej marrëdhëniet bilaterale me këtë shtet mik të përhershëm.

Po ashtu, ajo ftoi qytetarët që të mos bien pre e mashtrimeve të aktorëve apo faktorëve politikë, të cilët instrumentalizojnë në mënyrë të papërgjegjshme me këto raporte apo që spekulojnë për përfitime meskine politike.

Share.