Inspektorati komunal merr masa ndaj dy subjekteve të gastronomisë që nuk respektuan vendimin për ndalimin e ofrimit të shërbimeve të shishave. 

Në funksion të implementimit të vendimit të Asamblesë Komunalë të Komunës së Malishevës, për ndalimin e shërbimeve të shishave, Drejtoria e Inspektoratit Komunal, në bashkëpunim me Policinë e Kosovës, sot ka zhvilluar një aksion nëpër subjektet afariste të sektorit të gastronomisë që ofrojnë këto shërbime, më ç’rast dy subjekteve, ju është bërë ndalimi i zhvillimit të mëtutjeshëm të kësaj veprimtarie, duke ju vendosur edhe shiritat mbyllës, konform legjislacionit në fuqi.
Ky veprim i Inspektoratit Komunal, ka ardhur pasi që këto dy subjekte afariste nuk e kanë respektuar vendimin në fjalë, që parasheh ndalimin e ofrimit të shërbimeve me shisha, nargjile, e të ngjashme në afërsi të shkollave në distancë deri në 500 metra dhe 400 metra nga stacionet e autobusëve, në tërë territorin e Komunës së Malishevës.
Drejtoria e Inspektoratit, konform planit të saj të operimit në teren, do të vazhdoj edhe ditëve në vijim, që të monitoroj dhe inspektoj subjektet e gastronomisë për respektimin e këtij vendimi.
/TV Malisheva

Share.