Ish-ministri i Shëndetësisë Uran Ismaili ka shprehur shqetësimin për shkak të mungesës së testimeve masive për të parandaluar përhapjen e koronavirusit Covid-19, duke thënë se neglizhenca e institucioneve mund të jetë e kushtueshme për jetën e qytetarëve.

Ai në një konferencë për media tha se mungesa e testimeve për koronavirus është duke mundësuar shpërndarjen e kësaj sëmundjeje të rrezikshme.

“Sot për fat të keq u shënua viktima e parë, andaj i shpreh ngushëllime familjes Haliti. Shpresojmë të jetë viktima e fundit. Është një moment i vështirë. Mungesa e testimeve të shumta kanë krijuar një situatë që koronavirusi është shpërndarë në shumë komuna të Kosovës. Kjo është bërë nga fakti që nuk kemi arritur që të kemi një vetizolim dhe të mbrojmë kufijtë tanë. Mungesa e testeve në kufijtë tanë ka sjellë shumë raste me virus në Kosovë”, tha ai.

Ismaili ka apeluar qytetarët të qëndrojnë në shtëpi për të parandaluar këto raste.

“Të jashtëzakonshme gjendjen mund ta bëjë mungesa e testimeve më të mëdha. Jam shumë i brengosur që nuk është e mjaftueshme. Në Kosovë është duke u bërë një luftë e vrazhdë politike”, tha ai.

Ndryshe, Kosova ka regjistruar sot rastin e parë fatal me koronavirus dhe deri më tash janë konfirmuar 31 raste me të infektuar. /TV MALISHEVA/

Share.