Një sondë japoneze ka sjellë me sukses mostra të mbledhura nga dheu i një asteroidi miliardavjeçar. Materialet do ndihmojnë studimet për origjinën e jetës dhe universin.
Pas gjashtë viteve udhëtim dhe mbi 5 miliardë kilometrave rrugë, Japonia ka sjellë për herë të parë në histori, material të nëndheshëm të marrë nga një asteroid miliardavjeçar.
Anija hapësinore “Hajabusa-2” e lëshoi të shtunën kapsulën me sondën robotike drejt Tokës, dhe pasi përshkoi atmosferën, e hapi parashutën në një zonë në jug të Australisë.
Brenda kapsulës, ekipi japonez gjeti mostrat e gërmuara nga asteroidi “Rijugu”, në një distancë rreth 300 milionë kilometra nga Toka.
Misioni i parë i ngjashëm i vitit 2003 kishte rezultuar më problematik për ekipin, nga ana teknike.
“Kapsula zbriti në formë perfekte. Edhe roboti po zhvendoset në një mision tjetër. ‘Hajabusa-1’ i hapi derën udhëtimit ndërplanetar, ndërsa me ‘Hajabusën-2’ kemi hedhur hapa përtej derës.”
“Ndryshe nga ‘Hajabusa-1’, 2-shi i kreu detyrat në mënyrë të përsosur, nga kontrolli te projektimi ynë. Nuk ka asgjë tjetër që të na bëjë të ndjehemi kaq me fat për atë që kemi ndërtuar,” u shprehën drejtuesi i projektit dhe i institutit japonez për shkencat e hapësirës dhe astronautikës.
Asteroidi “Rijugu” i cili u gërmua nga sonda japoneze mendohet se është formuar 4,6 miliardë vite më parë.
Mostrat e marra atje dhe që tani gjenden në Tokë peshojnë vetëm 0,1 gram, por kjo sasi besohet se do të mjaftojë për të ngritur teori mbi origjinën e jetës dhe formimin e gjithësisë.
Anija “Hajabusa-2”, ndërkohë, nuk e ka përfunduar misionin e vitit 2014, dhe tani do i drejtohet një tjetër asteroidi për të studiuar mënyrat se si mund të shmanget rënia e meteorëve në Tokë./TV Malisheva