Kosova U21 ka mbyllur edhe një vit tjetër të suksesshëm, me paraqitje dinjitoze në kualifikime për Kampionatin Evropian ashtu edhe me rezultate duke arritur të jetë një nga kandidatët për të kaluar grupin kualifikues.

Kosova U21 ka zhvilluar gjithsej 7 ndeshje, përfshirë edhe ato miqësore gjatë vitit 2019, ku ka arritur të triumfojë 4 herë, ndërsa në tre ndeshjet e tjera ka pësuar humbje, shkruan KosovaPress.

Kosova triumfoi në dy miqësoret e zhvilluara në fillim të vitit, asaj ndaj Turkmenistanit si dhe ndaj Maltës, ndeshje këto të zhvilluara gjatë muajit mars.

Më pas Kosova nisi ciklin eliminator për Kampionatin Evropian “Euro 2021”, ku në dy ndeshjet e para shënoi dy fitore, ndaj Andorrës në udhëtim dhe ndaj Turqisë në Prishtinë në stadiumin “Fadil Vokrri”.

Dardanët e rinj në tre ndeshjet e fundit kualifikuese pësuan tri humbje, ndaj kombëtareve si Anglia, Austria dhe Shqipëria.

Trajneri i Kosovës U21, Rafet Prekazi u shpreh i kënaqur me paraqitjet e djelmoshave të tij gjatë vitit 2019, duke e cilësuar këtë vit si vit të ndërrimit të gjeneratave.

Prekazi: Jam i kënaqur me paraqitjet e Kombëtares U21 në vitin 2019

 

“Duke marrë parasysh që ky vit është viti kur bëhet ndërrimi i gjeneratës, dhe duke marrë parasysh edhe anën tjetër që para kësaj gjenerate ka qenë një gjeneratë jashtëzakonisht e suksesshme dhe e mirë, mendoj që ndërrimi i gjeneratës e ka bërë të veten sido që të jetë mendoj që edhe këtë gjeneratë që ka filluar në vitin 2019 dhe vazhdon kualifikimet edhe në 2020, jam i bindur që kjo gjeneratë e arsyeton emrin sikur gjenerata e kaluar, do të thotë me një fjalë jam i kënaqur me paraqitjet e u 21”, tha Prekazi.

Trajneri nga Mitrovica foli edhe për vështirësitë që Kosova U21 kishte hasur gjatë vitit që lamë pas. Ai renditi problemet me pajisjen e lojtarëve me dokumentacione si një ndër vështirësitë kryesore.

Prekazi: Kemi pasur shumë vështirësi gjatë këtij viti

 

“Vështirësitë, them kushtimisht më pak se kur jemi pranuar në UEFA, sepse kemi pasur jashtëzakonisht probleme, jo në fushë, jashtë fushës ku dihet që Kosova është një shtet i ri, i pranuar që dy tri vite në UEFA dhe ato probleme thjesht nuk i kemi jep për shtyp asnjëherë sepse jemi ballafaquar me gjëra që asnjë shtet nuk ballafaqohet, këtë e them për hir të vërtetës dhe publikut , vetëm një për shembull kemi pasur probleme shumë me pasaporta, me viza që i dinë populli, mos t’i them gjërat tjera por ne jemi popull që kemi vuajtur dhe jemi mësuar me kësi probleme”, u shpreh Prekazi.

Ndërsa sa i përket vitit 2020, Prekazi u shpreh se pret nga djelmoshat e tij që të tregojnë se paraqitjet gjatë vitit 2019, nuk janë vetëm rastësi dhe shpreson që futbolli në përgjithësi të përmirësohet për të mirë në shtetin tonë.

Prekazi: Në vitin 2020 duhet të tregojmë se nuk jemi rastësi

 

“Unë mendoj atë që e thash më parë, futbolli duhet të përmirësohet. Ka vend për përmirësime pa marrë parasysh se djemtë luajnë mirë, por 2020 tash vetëm e bëjmë një përvojë si ne si federata në organizim si çdo gjë. Tash dihet që kërkesat janë më të mëdha nga populli jonë nga paraqitjet e A-së, dhe U21, pa anashkaluar gjeneratat tjera. Futbolli është një dritë e bardhë për shtetin e Kosovës në anën tjetër është obligim edhe më i madh t’i tregojmë paraqitjet që i kemi pas të mira që nuk kanë qenë të rastësishme sepse talenti ekziston në Kosovë, kemi djem jashtëzakonisht të mirë për këto që i thash më parë”, vijoi Prekazi.

Menaxheri i Kosovës U21, Zgjim Sojeva foli më shumë rreth procesit të pajisjes së lojtarëve me dokumentacione, si dhe tregoi arsyen se pse Kombëtarja U21 u detyrua t’i luante të gjitha ndeshjet jashtë Kosovës gjatë këtij viti.

Sojeva: Kemi pasur shumë probleme rreth dokumentacionit

 

“Është vështirë sidomos tek puna e dokumentacionit, ku dihet që lojtarët që janë lindur në Gjermani nuk i lejohet dy shtetësia, vetëm në raste të caktuara. Kanë shumë probleme që të pajisjen me leje nga komuna ku janë lindur që të aplikojnë në Kosovë për t’u pajisur me shtetësi dhe pasaportë. Do të thotë problemi kryesor është ky dhe probleme tjera nuk kemi pasur përveç që dihet për shkak të infrastrukturës në Kosovë edhe të gjitha lojërat gjatë vitit 2019 jemi detyruar t’i luajmë si mysafirë, përveç ndeshjen ndaj Turqisë për shkak se e dimë të gjithë se kemi vetëm një stadium i cili i plotëson kushtet për zhvillimin e ndeshjeve ndërkombëtare”, u shpreh fillimisht ai.

Sojeva deklaroi se gjatë vitit 2019, ftesave të Rafet Prekazit si dhe shtabit teknik të Kosovës U21, të gjithë iu kanë përgjigjur në mënyrë pozitive, kështu duke mos pasur asnjë refuzim nga ndonjë lojtar për përfaqësimin e shtetit të tij.

Sojeva: Nuk kemi pasur asnjë refuzim

 

“Mund të them që refuzime nuk kemi, por kemi ndonjë rast kur futbollistët vendosin me prit pak, ndoshta për shkak të ofertave që kanë në vendin ku kanë lindur dhe rritur, ndoshta prej frikës që mund t’i dëmtojmë diçka gjatë karrierës së tyre, refuzime nuk kemi, kemi vetëm raste kur futbollistët  kërkojnë t’i presim. Do ta përmendi një futbollist që është shumë me potencial dhe perspektiv. Është portieri Diart Ramaj, i cili është me Kombëtaren U19 të Gjermanisë do të thotë ai nuk ka refuzuar, jemi në kontakt me të, por ka pas ftesë edhe nga Kombëtarja U19 e Gjermanisë”, vazhdoi tutje Sojeva.

Ndërsa sa i përket vitit 2020, Sojeva tha se qëllimi kryesor i Kombëtares U21, është që të furnizohet Kombëtarja A me futbollistë të cilët do të mund ta tregojnë vetën dhe t’i ndihmojnë Kosovës në rrugën për kualifikim në Kampionat Evropian.

Sojeva: Synimi ynë ta ruajmë pozitën e tretë

 

“Qëllimi i Kombëtares U21 është të ruajmë pozitën e tretë, do të ishte një sukses i madh, duke ditur që jemi duke marrë pjesë vetëm për herë të dytë në këto kualifikime. Nëse renditemi në pozitën e tretë pas Anglisë dhe Austrisë do të ishte një rezultat mjaft i mirë dhe qëllimi i Kombëtares U21 dhe grup moshave të reja është që të furnizohet Kombëtarja A me futbollistë, ku dihet se është shumë vështirë që të pretendohet për fitimin e ndonjë kampionatit ose kualifikimin e Kosovës tash kaq shpejtë në ndonjë Kampionat Evropian”, përfundoi Sojeva.

Kujtojmë që Kosovën U21 e pret një punë e madhe, duke nisur nga kualifikimet për Kampionatin Evropian, ku do t’i luajë ndeshjet kthyese në kuadër të grupit të tretë, ku momentalisht renditet në pozitën e tretë, pas Anglisë dhe Austrisë.

Share.