Pas vendimit të Lidhjes Demokratike të Kosovës për mocion mosbesimi ndaj qeverisë Kurti, kryeministri i Kosovës Albin Kurti ka thënë se me gjithë kabinetin qeveritar do të vazhdojnë angazhimin kundër përhapjes së koronavirusit.

Për shkarkimin e Agim Veliut nga posti i ministrit të Brendshëm, Kurti tha se i njëjti ka tradhtuar qeverinë dhe policinë ndërkohë që ka mbështetur regjimin e vjetër.

Lidhur me tarifën ndaj produkteve serbe, Kurti edhe njëherë ka përsëritur qëndrimin e tij se zëvendësimi i saj duhet të bëhet gradualisht duke vendosur reciprocitetin ndaj Serbisë.

Pasi partneri i koalicionit qeverisës deklaroi se synon ta rrëzojë qeverinë me mocion mosbesimi, shefi i ekzekutivit, në një konferencë për media tha se do të presin çka do të veprojnë të tjetër, e pastaj do të përgjigjen rreth mocionit.

Kurti tha se LDK nuk do të duhej të identifikohej me deklaratën në mesnatë të njërit ministër, i cili sipas Kurtit nuk mban atë qëndrim në mbledhje të brendshme, por pastaj del kundër kryeministrit.

Kurti: Me gjithë kabinetin qeveritar do të angazhohemi në luftimin e koronavirsit

Video

“Ne duhet të presim se çka do të bëjnë, e çka do të shkruajnë, e çka do të thonë, e çka do veprojnë, e mandej të përgjigjemi. Mendoj që tash duhet të përqendrohemi maksimalisht si qeveri, me gjithë kabinetin qeverisës për luftimin e virusit korona. Është e domosdoshme t’i maksimizojmë përpjekjet dhe t’i shtojmë masat, masat mund të jenë të jashtëzakonshme, por nuk ka nevojë për gjendje të jashtëzakonshme të shpallur, aq më pak na ndonjë ministër në mesnatë”, tha Kurti.

Kurti shtoi se dëshiron të vazhdojë punën me LDK-në partner, veçse nuk mund të lejojë që një ministër të harmonizojë qëndrimet me dikë jashtë qeverisë.

Kurti: Nuk mund t ketë ministra që i harmonizojnë qëndrimet me regjimin e vjetër

Video

“Nuk mund të kemi në qeverinë e re, ministra që i sinkronizojnë e i harmonizojnë qëndrimet me dikë, jashtë qeverisë së re, me dikë nga regjimi i vjetër. Ajo kohë dhe ai kapitull është mbyllur dhe ka marrë fund, prandaj edhe njerëzit kur janë në këtë qeveri duhet të jenë e bëjnë e flasin sikur janë në këtë qeveri, e jo në ndonjë qeveri të mëhershme ose diku tjetër. As për deklarimin e djeshëm, kryetari i LDK-së, që mbështeti shpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme, nuk u konsultua me mua. Kjo është shkelje e marrëveshjes sonë të koalicionit. Nuk mund ta mbështesë shpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme të paralajmëruar nga presidenti, pa u konsultuar me partnerin tënd të koalicionit, nuk mundesh, ose edhe mundesh, por pastaj nuk mundesh, sepse të shkarkojnë”, tha Kurti.

Pas deklarimeve të kreut të LDK-së, Isa Mustafa që nuk mu nd të qeverisë dikë që rrezikon partneritetin me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Kurti tha se do të kenë marrëdhënie dhe aleancë të fuqishme me Amerikën, dhe se Kosovës i nevojiten edhe Shtetet e Bashkuara edhe Evropa.

Ai përsëriti qëndrimin rreth taksës 100% ndaj mallrave serbe, ku tha se zëvendësimi gradual i taksës me reciprocitet është pjesë e planit qeverisës dhe se ishte pikë mbi të cilën dy partitë e kanë ndërtuar marrëveshjen e koalicionit.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti shkarkoi nga pozita e ministrit të Brendshëm sot Agim Veliun e LDK-së, meqë i njëjti mbrëmë në një televizion kishte deklaruar se ka nevojë të merren masa më të mëdha, edhe ekstreme për të luftuar përhapjen e Covid-19.

Ndërkohë që shpallje të gjendjes së jashtëzakonshme për shkak koronavirusit kishte kërkuar presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, që sipas Kurtit ka filluar të zmbrapset nga kjo ide qysh sot.

Kurti: Ag im Veliu deshi të bëhej më katolik se Papa

Video

“Kjo zmbrapsje e presidentit, e cila u dokumentua sot, edhe para jush, tregon një lloj nxitimi të atij ministri që siç thotë populli ynë të bëhet me katolik se Papa. Pra, ta shpall shpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme. Nëse presidenti dëshiron të shpallë gjendje të jashtëzakonshme, nuk do të ketë ministra në qeverinë time ku ka aso që duan ta shpallin shpalljen ne mesnatë, mbaroj kjo punë, pra mund të flasësh, por jo si ministër më, tash është liria e shprehjes dhe duhet ta respektojmë lirinë e shprehjes, por nuk mund ta respektoj si ministër, andaj e lirova nga detyra”, tha Kurti, raporton KosovaPress.

Kurti, i cili ka takuar sot komandanti e KFOR-it në Kosovë, tha se i njëjti nuk ka qenë i informuar nga presidenti për mundësinë e shpalljes së gjendjes së jashtëzakonshme.

Kurti: KFOR-i nuk është në dije për mundësinë e shpalljes së gjendjes së jashtëzakonshme

Video

“Kur kam takuar sot komandantin e KFOR-it gjeneralmajorin Risi kam menduar tashmë ka takuar presidentin, ai nuk e kishte takuar fare presidentin, i thash a ju ka kontaktuar presidenti për t’u takuar, tha jo. Si bëhet, si merr iniciativë për të shpallë gjendje të jashtëzakonshëm, fare pa u konsultuar me KFOR-in, nuk e di ish ministri a e ka ditur këtë gjë, por vonë është tash”, tha Kurti.

Share.