Anëtari i KQZ-së nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Sami Kurteshi, ka sqaruar incidentin e së mërkurës në të cilin u raportua si konflikt në media mes tij dhe një punonjësit tjetër të këtij institucioni që zanafillën e ka pasur te vendosja e maskës. Në përfundim të mbledhjes, Kurteshi deklaroi se nuk ka pasur konflikt, por e kishte nxjerrë jashtë një person që kishte refuzuar të vendosë maskën siç e kërkon ligji.
Kurteshi deklaroi se as nuk janë shkëmbyer fjalë ofenduese dhe nuk ka pasur kundërshtime nga personi të cilin e kishte nxjerrë jashtë. Ai tha se kërkesë e tij ka qenë që të respektohet ligji dhe vendimi qeveritar.
“Dje nuk ka pasur konflikt verbal, dje nuk ka pasur as konflikt fizik, dje nuk ka pasur asnjë fjalë, fyerje apo sharje, dje nuk ka pas as kundërshtime. Kam kërkuar me dal dhe e kam nxjerrë atë djalin jashtë”, deklaroi Kurteshi.
Anëtari i KQZ-së pranoi se ka qenë në polici për të dhënë deklaratë mbi atë se çfarë kishte ngjarë. Mirëpo, ai pretendoi se i njëjti person refuzon të respektojë ligjet pasi e ka dikë të lartë që “ia ruan shpinën”.
Duke risjellë ngjarjen e djeshme, Kurteshi u shpreh se personin e kishte takuar brenda institucionit pa maskë dhe fillimisht e kishte pyetur se ku e ka maskën e i cili ka refuzuar të përgjigjet, ndërsa më pas i kishte kërkuar të vendosë.
Por, ka hasur në kundërshtim te personit dhe Kurteshi tha se e kishte nxjerrë jashtë.
” Dje, kam pasur mbledhje. Duke hyrë në zyre aty afër është një automatë i kafesë dhe rastësisht e kom parë një djalë që nuk ia di emrin, pa maskë, edhe veç e kom pyet: ‘djalo, ku e ke maskën?’ Ndoshta ka folur por nuk e kam dëgjuar. Mandej i kom thënë ‘vendose maskën!’. Më tha: ‘Jo, as s’kam, as s’e vendosi’. ‘Qysh s’e vendos’. ‘Duhesh me dal jashtë’. ‘Jo as s’dal jashtë, as s’e vendosi maskën. Edhe unë e kom marrë e kom nxjerrë jashtë. Ka dalë jashtë ai, s’ka pas konfrontime, s’ka pas as konflikt verbal, sharje e fyerje. Kanë qenë 7 a 8 vetë. Por unë kam bërtitur për ta dëgjuar të gjithë”, deklaroi Kurteshi.
Kurteshi tha se e kishte kuptuar se çështja është bërë mediatike vetëm pasi kishte përfunduar mbledhjen. Ai tha se djali pasi kishte dalë jashtë e kishte vendosur maskën.
Megjithatë, sipas Kurteshit, thelbi i saj është se këtu i njëjti person ka dikë të fortë që ia ruan shpinën dhe nuk i përligj ligjet e Kosovës, që në këtë rast ishte mosvendosja e maskës.
“Thelbi i saj është që e ka shpinën e fortë dhe dikush e ka një të fortë këtu, nuk e di kush është, ata mund të tregojnë,. Tash ai me tregon mua se ai nuk i përfill as një kërkesë timen, ti je staf politik, ti s’ke të drejtë më dhënë urdhra. Ajo nuk ka qenë urdhër, por kërkesë. e imja. Unë e kam kurajën t’i them se e ke për detyrë të zbatosh ligjin. Dua të mbroj jetën dhe shëndetin tim. Dil në rrugë, në shtëpi tënden bëj çfarë të duash. Këtu unë s’kam ka me ik”, tha Kurteshi.
Ai tha se kujdeset edhe për funksionimin e institucionit, pasi një rast pozitiv duhet të izolohet dhe në prag zgjedhjeve ky do të ishte problem që mund të shkaktonte dëme dhe për procesin zgjedhor.
Kryetari i KQZ-së, Kreshnik Radoniqi, refuzoi të fliste për këtë çështje duke thënë se organet e rendit tashmë po merren me rastin dhe ata do ta thonë fjalën e fundit, ndërsa anëtari tjetër i KQZ-së nga Lëvizja Vetëvendosje, Halim Rama, kërkoi të dijë se si janë punësuar këta persona në KQZ. /TV Malisheva