Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, pas vdekjes një personi nga Prishtina, me inicialet S.N. dhe një gruaje nga Prizreni me inicialet N.R, ka thënë se mëngjesi i sotëm doli më i hidhuri që nga 13 marsi dhe 22 marsi, ditët kur u shënua rasti i parë i infektimit dhe rasti i parë fatal si pasojë e COVID-19.

Ai ka shkruar në Facebook se tani i kemi tre të vdekur gjithsej.

“Pra, nuk ka mbaruar asgjë. Në fakt, jemi në mes të betejës. Më shumë se kurrë na nevojitet vendosmëria e secilit qytetar. Prandaj qëndroni të pastër, qëndroni në distance, qëndroni në shtëpi. Vetëm kaq na duhet që të fitojmë. Më lehtë e më thjesht nuk ka qenë asnjëherë. Me pak disiplinë do t’ia dalim. I kemi 23 të shëruar e 145 raste të konfirmuara. E, nga profesionistët mësojmë se është pritur që numri i të prekurve me virusin të jetë shumë më i madh. Mirëpo, kjo nuk duhet të na relaksojë. Përkundrazi. Po hyjmë në javët kritike të virusit, dhe, ta bëjmë këtë për veten tonë, për më të dashurit tanë e, mbi të gjitha, për heronjtë në vijën e parë të frontit. Duhet ta vonojmë në kohë dhe ulim në përmasë sa më shumë ngritjen e lakores së shpërndarjes së COVID-19”, ka shkruar ai duke e përsëritur që të qëndrojmë të pastër, në distancë dhe në shtëpi./ Tv Malisheva

Share.