Analistët politikë kanë dhënë qëndrime të ndryshe për takimin e djeshëm në Ohër, në të cilën kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq janë pajtuar për aneksin e zbatimit të marrëveshjes së dakorudar më 27 shkurt në Bruksel.

Edhe pse të dy palët nuk nënshkruan, aneksi i zbatimit ka hyrë që nga mbrëmë në fuqi, pasi mbrëmë ai u publikua nga Bashkimi Evropian.

Njohësja e rrethanave politike dhe analistja, Besa Luzha është shprehur optimiste sa i përket zbatimit të aneksit zbatimit, derisa tha se është një hap para për vendin.

Ndërsa sa i përket mosnënshkrimit, Luzha tha për KosovaPress, se nuk është mjaftë problematikë, pasi sipas saj, garanci është Bashkimi Evropian.

“Nuk kemi nevojë të presim ndonjë nënshkrim zyrtar, sepse si ka ecë procesi në një mënyrë negociatorët janë munduar që të dy palët të dalin fitimtarë. Edhe qytetarët kanë nevojë ta kuptojnë se ajo marrëveshje me 11 pikat ka qenë e dakorduar dhe nuk ka pas hapësirë të ndryshohet më. Për ta gjetur ata pajtueshmërinë, janë gjetur formulime siç është vetmenaxhimi për pjesën e Asociacionit që përkon me nenin 7, dhe formulimet e tjera që kanë qenë për mosnjohjen formale. Megjithatë, kemi një ecje përpara. Nënshkrimi ose mosnënshkrimi nuk është shumë problematike sepse garanci është BE. Kuptohet se me qenë e nënshkruar është më mirë, për shkak se është një siguri edhe më e madhe”, tha Luzha.

Sa i përket zbatimit të planit të BE-së, Luzha tha se për presidentin serb, Aleksandër Vuçiq, më e dhimbshme është pjesa që duhet pranuar subjektivitetin ndërkombëtar.

Duke folur për zbatimin e këtij aneksi, ajo shtoi se është një hap para për Kosovën dhe nuk kanë nevojë të shqetësohen qytetarët në këtë drejtim.

“Për Vuçiqin nënshkrimi nuk ka qenë problemi te pjesa e vetmenaxhimit të komunitetit serb, për të ka qenë më e dhimbshme pjesa që duhet pranuar subjektivitetin ndërkombëtar, që duhet t’i njohë simbolet, dokumentet, që është njëfarë njohje faktike. Kurse për palën tonë, kryeministri Kurti ka deklaruar se ka qenë i gatshëm të nënshkruaj nëse do të shkonte deri në atë proces, kështu që qytetarët kanë nevojë ta dinë që një ecje përpara është. Tash të shohim në planin e zbatimit janë dhënë afate. Është edhe një garancion që ka mbikëqyrje, pasi përpara BE nuk e ka marrë rolin e mbikëqyrësit dhe tash e ka dhe do t’iu rrijë gati në një mënyrë palëve nëse nuk i përmbushin obligimet dhe afatet. Është një hap para dhe nuk kemi nevojë të shqetësohemi në këtë drejtim”, shtoi Luzha.

Ndërkaq për njohësin tjetër të politikës, Dritoro Arifi, aneksi i zbatimit të planit evropian është shumë dobët i formuluar. Sipas tij, sipas aneksit ka shumë obligime për Kosovën dhe shumë pak për Serbinë.

Mes tjerash, Arifi ka akuzuar kryeministrin Kurti për pajtimin mbi këtë plan. Sipas tij, problem mbetet neni 10-të, që duhet të zbatohen edhe marrëveshjet e kaluara, e që për këtë, ai tha se është keq për vendin.

Ai shton se me patjetër do të ndërtohet asociacioni, pavarësisht që mund t’i ndryshohet emri, përmbajtja siç tha ai, do të jetë e njëjtë, në të mirën e Serbisë.

“Aneksi është jashtëzakonisht shumë dobët i formuluar dhe nuk e di se pse është pranuar në atë formë. Nuk ka shumë afate, ka shumë obligime për Kosovën, shumë pak për Serbinë dhe në një formë nuk është se zgjidhet ndonjë çështje madhore, është një marrëveshje e përkohshme, më shumë për t’i kthyer serbët e veriut në institucione. Edhe Kosova nuk e di sa e ka kuptuar çka ka nënshkruar apo për çfarë janë dakorduar, pasi ata janë pajtuar që edhe neni i 10 i marrëveshjes, që thotë se të gjitha marrëveshjet e kaluara palët marrin obligim t’i zbatojnë, që i bie edhe marrëveshjet e 2013-ës dhe marrëveshja e parimeve të 2015-të, duhet të zbatohet, pra pavarësisht si ia lemë emrin, vetëmenaxhim, vetëqeverisje apo asociacion nuk ka rëndësi, e rëndësishme është se do të implementohen të gjitha marrëveshjet. Në fund, Serbia është aty ku ka dashur të jetë”, tha Arifi.

Sa i përket pikës 7, e cila thotë se palët do të zyrtarizojnë statusin e Kishës Ortodokse Serbe në Kosovë, Arifi tha se kjo është në kundërshtim me Kushtetutën e Republikës së Kosovës.

“Kjo ka qenë gabim sepse Kushtetuta e Kosovës është laike, është neutrale ndaj religjioneve, këtë nuk e di pse e kanë pranuar dhe si e kanë pranuar. Është shumë e gabuar sepse aty kërkohet formalizmi i statusit të Kishës Ortodokse Serbe, që i bie Kisha Serbe do të operojë si në Serbi dhe në Kosovë. Nuk kemi asgjë kundër lirisë fetare, por duhet të jetë në korniza ligjore dhe kushtetuese të Republikës së Kosovës. Aneksi është shumë i paqartë, sepse do të kemi probleme në implementim”, tha mes tjerash Arifi.

Kosova dhe Serbia janë pajtuar mbi aneksin e zbatimit të planit evropian, i cili do të jetë i obliguar për të dyja palët nga mbrëmë, në momentin e publikimit të tij. Kështu ka thënë përfaqësuesi i lartë i Bashkimit Evropian, Josep Borrell në një deklaratë për media, pas dialogut 12 orësh në mes kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, nën ndërmjetësimin e BE-së, në Ohër të Maqedonisë së Veriut.

Ndërsa, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka thënë se kanë arritur pajtim publik me Serbinë për zbatimin e aneksit të marrëveshjes së propozuar nga Bashkimi Evropian.

Mirëpo, ai ka thënë se Serbia sërsh nuk e ka nënshkruar të njëjtin. Sipas tij, i takon BE-së tani që të gjejë mekanizma për të detyruar Serbinë të firmosë ujdinë.

/TV Malisheva

Share.