Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka deklaruar sot se janë në gjendje gatishmërie në të gjithë sektorët për të ballafaquar me koronavirusin. Për këtë theksoi se nuk ka nevojë për frikë e panik tek qytetarët.
Në një konferencë për media, pas mbledhjes së Komisionit të Posaçëm për parandalimin e koronavirusit, shefi i ekzekutivit tha se i kanë bërë gjitha përgatitjet e nevojshme në rast se shfaqet ndonjë rast me këtë infeksion.
Kurti: Përgatitjet jemi duke i bërë pandërprerë dhe maksimalisht
“Përgatitjet jemi duke i bërë pandërprerë dhe maksimalisht. Edhe një herë i ftojmë të gjithë qytetarët e Republikës që nëse kanë shenja kollitje, ethe, ose me vështirësi në frymëmarrje të qëndrojnë në banesat, apo shtëpitë e tyre. Të kontaktojnë me numrin e telefonit 038-200-808 00 e të mos shkojnë në qendrat e mjekësisë familjare, apo spitalet e qytetet e tyre. Pra të qëndrojnë në shtëpi, apo banesë nëse i kanë ndonjërën prej tri simptomave, ethe, vështirësi në frymëmarrje ose kollitje…deri më sot 93 raste janë testuar për koronavirus në Kosovë dhe asnjë prej tyre nuk ka rezultuar pozitiv. Ne po i bëjmë përgatitjet që edhe më tej të ngelet kështu. Por në anën tjetër i kemi përgatitjet edhe nëse nuk ngelet kështu. Pra nëse do të kemi të testuar pozitivisht“, tha ai.
Krahas kësaj i pari i qeverisë tha se nuk do të ketë asnjë mungesë të mallrave, dhe të gjitha mjetet financiare, Ministria e Shëndetësisë do t’i marrë gradualisht nga ekzekutivi.
Kurti: Nuk ka kurrfarë nevoje për frikë e panik
“Nuk ka kurrfarë nevoje për frikë e panik. Qeveria është me qytetarët shteti është për qytetarët. Ne jemi në gjendje gatishm ërie në të gjitha sektorët. Për shkak që janë mbyllur shkollat nuk do të thotë që do të mbyllen shitoret. Për shkak që janë mbyllur shkollat, nuk do të thotë se do të mungojnë mallrat. Mbyllja e kufijve varësisht nga pikat kufitare nuk reflekton tek mallrat, por vetëm tek udhëtarët“, tha ai.
Se nuk ka vend për panik tek qytetarët e tha edhe ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia.
Vitia: Vend për panik nuk ka, por për mobilizim të shtuar
“Vend për panik, nuk ka. Vend për frikë nuk ka. Por mobilizim të shtuar të këtyre masave jo vetëm institucionale, por edhe nga qytetarët që nuk janë kurrë mjaftueshëm të përmenden janë të domosdoshme…sot ka IKShP në relacion me këtë që thash kemi marr një rekomandim që për një kohë të shkurtër të mbyllen edhe kufijtë tokësor. Në mënyrë që fakti që ende nuk kemi akoma korona virus të pamundësohet ose të shtyhet deri në maksimum paraqitja e tij në Kosovë “, tha ai.
Derisa theksoi se çdo informacion që publikohet në media në lidhje me rastet e dyshuara për koronavirus duhet të verifikohet, pasi po ka konfuzitet tek qytetarët.
Vitia: Çdo informacion duhet të jetë i verifikuar
Video:14:21
“Çdo informacion që lëshohet nga IKShP dhe Ministria e Shëndetësisë do të jetë i verifikuar, pastaj i plasuar. Kemi pasur disa raste në kohën e fundit të raportimeve që kanë shkaktuar konfuzitet te qytetarët. E fundit ishte se disa nga mostrat kanë shkuar në Tiranë, është e pavërtetë. Prapë iu kërkoj mirëkuptimin e juaj që në këtë situatë duhet të jemi shumë korrekt me informacionin“, tha ai.
Komisioni i Posaçëm qeveritar për parandalimin e koronavirusit është themeluar dje. Në kuadër të këtij janë rreth 26 anëtarë të institucioneve relevante./TV Malisheva/