Kryeministri Albin Kurti nuk do të çojë për votim propozimin për heqjen e pjesshme të taksës, pa një konsensus me partnerin qeverisës, Lidhjen Demokratike të Kosovës, ndërsa ka treguar edhe arsyet e refuzimit të takimit me presidentin Hashim Thaçi.

Ai tha se vendimet e tij nuk dëshiron të bëhen me shumicë të thjeshtë në Qeverinë e Kosovës dhe se nuk dëshiron të ngutet me marrjen e vendimit për heqjen e taksës së paralajmëruar për lëndën e parë më 15 mars.

Kurti: Pa konsensus s’do ta qesë në votim propozimin për tarifën

“Unë kam dhënë qëndrimin tim si kryeministër i Kosovës për zëvendësimin gradual të tarifës 100 për qind me reciprocitet. Duket që nuk është mirëpritur prej disa eksponentëve në LDK-në. Unë nuk dua që vendimet qeveritare të bëhen me shumicë të thjeshtë. Jam i interesuar që për politikën e jashtme të kenë harmonizim të g jitha institucionet e shtetit, e posaçërisht qeveria. Derisa ta kemi një konsensus të tillë, nuk do të kisha preferuar të nxitohem që qëndrimin tim ta sjell në mbledhje të Qeverisë për ta bërë vendim”, tha Kurti.

Rreth tërheqjes së fondeve të MCC, kryeministri Kurti tha se nuk ka njohuri zyrtare për një gjë të tillë.

Kurti: Nuk kam njoftim zyrtar për tërheqjen e fondeve të MCC

“Nuk kam njoftim të tillë zyrtar dhe jam pak i hendikepuar, për shkak se njoftimet dhe lajmet e ndryshme që vijnë të pa verifikuara apo gjysmë të verifikuara, nuk e kam as për së afërmi kohën e dikurshme që t’i ndjek”, u shpreh Kurti.

Kurti ka treguar edhe arsyen e refuzimit të ftesës së presidentit Thaçi për takimin e djeshëm për çështje me interes shtetëror. Ai tha se është për bashkëpunim, por jo në formën siç e ka bërë presidenti.

Kurti: Jam për takim me presidentin, vetëm si kryeministër

“Mësova dy gjëra, e para se ai ka filluar me këto takime pikërisht në momentet kur kishte nisur seanca e rëndësishme e Kuvendit, në të cilën u prezantua një ndër fjalimet më të rëndësishme në Kuvendin e Republikës, i zonjës Vasfije Krasniqi Goodman. Për mua ishte shije e keqe që teksa Krasniqi Goodman mban fjalim në Kuvend, të takosh ndaras partitë politike. Nuk është në frymën konstruktive të shtetit, ndërtimit demokratik dhe harmonizimit me politikën e jashtme. Kur kuptova se kishte caktuar takime me liderë partish, atëherë le të mbajë njëherë ato takime dhe të takohemi si krerë të institucioneve. Unë jam për takim e për bashkëpunim, por jo në atë ditë dhe jo ashtu”, tha Kurti.

Gjatë ditës së djeshme të gjithë liderët e partive i janë përgjigjur ftesës së presidentit Thaçi, me përjashtim të kryeministrit Kurti. /TV MALISHEVA/

Share.