Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka vënë lule të freskëta dhe ka bërë homazhe te varret e tre vëllezërve Bytyqi në Yonkers të New Yorkut, gjatë së dielës.

Pas homazheve, Kurti ka thënë se sakrifica, patriotizmi dhe humanizmi i vëllezërve Bytyqi është vlerë kombëtare mbi të cilën ndërtohet Republika e Kosovës, si shtet i pavarur dhe mbi të cilën përparon i mbarë kombi shqiptar.

“Ushtria Çlirimtare e Kosovës ishte përpjekje e përbashkët e të gjithë shqiptarëve edhe në Ballkan, edhe në mërgatë, e Batalioni ‘Atlantiku’ është dëshmi për këtë”, shtoi ai.

Kurti ka thënë se vrasja e vëllezërve Bytyqi është krim i Serbisë që ende nuk është zbardhur plotësisht.

“Andaj edhe në raport me Serbinë, por edhe me faktorët ndërkombëtarë, ne vazhdimisht insistojmë dhe kërkojmë që urdhërdhënësit dhe ekzekutorët e drejtpërdrejtë të arrestohen, të gjykohen dhe të dënohen, në mënyrë që ata që sakrifikuan jetën për lirinë e popullit dhe çlirimin e vendit të prehen të qetë”, ka theksuar ai.

Me rastin e nderimeve te varrezat për vëllezërit Bytyqi, kryeministri ka pasur një bashkëbisedim edhe me ish-pjesëtarë të Batalionit “Atlantiku”, pjesëtarë të së cilit ishin edhe vëllezërit Bytyqi.

Ky batalion përbëhej nga burra e gra të cilët në vitin 1999 erdhën nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe ju bashkuan Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në luftën për çlirim nga regjimi i Serbisë.

Vëllezërit Agron, Mehmet dhe Yll Bytyqi, të cilët ishin shtetas amerikanë, me prejardhje nga Kosova, janë vrarë në Serbi nga policia serbe në vitin 1999, menjëherë pas përfundimit të luftës në Kosovë. Trupat e tre vëllezërve u zbuluan në korrik të vitit 2001 në një varr masiv me shqiptarë të tjerë të vrarë. /eo

/TV Malisheva

Share.