Drejtori i Klinikës së Anesteziologjisë dhe Mjekimit Intensiv, Nehat Baftiu, ka dhënë dorëheqje nga pozita në QKUK.

Dorëheqjen e tij Baftiu e ka njoftuar përmes një letre publike, ndërsa ka thënë se po largohet nga QKUK-ja për arsye personale dhe moment reflektimi, për çka ka thënë se është alarm për institucionet.

Ai është shprehur i zhgënjyer me gjendjen e shëndetësisë në Kosovë.

“Arsyeja për këtë dorëheqje sa është personale, po aq është edhe një moment reflektimi dhe alarmi për të gjitha institucionet qeveritare për gjendjen në të cilën e kanë sjellë shëndetësinë e Kosovës në përgjithësi dhe pozitën e mjekëve në veçanti”.

“Sot dua të shpreh hapur zhgënjimin tim për gjendjen në të cilën jemi si shëndetësi. Sot kur çdo ditë kemi ikje të mjekëve nga Kosova, kur çdo ditë kemi ikje të mjekëve nga sektori publik, kur ende nuk e kemi ligjin e pagave, kur nuk e kemi fondin për sigurime shëndetësore, kur nuk e kemi sistemin informativ të shëndetësisë – SISH, kur pozita e mjekut dhe stafit të mesëm në përgjithësi e atyre të Anesteziologjisë dhe Mjekimit Intensiv në veçanti lë shumë për të dëshiruar, kur mungon një sistem i mirëfilltë i punës, kur pacientët tanë shëtisin poshtë e lart nëpër spitale të vendeve tjera për të kërkuar ndihmë, nuk kam si të mos jem i mërzitur, zhgënjyer dhe i pezmatuar deri në palcë për këtë gjendje kaq të rëndë”, shkroi Baftiu në letrën e tij. /TV Malisheva

Share.