Pas shumë muajve negociata Lëvizja Vetëvendosje e Lidhja Demokratike e Kosovës, të dielën zyrtarisht kanë nënshkruar marrëveshjen për bashkëqeverisje. Nga të dy liderët e partive kjo marrëveshje është cilësuar në dobi të Kosovës.
Në konferencën e Mustafës dhe Kurtit u tha se qeveria e ardhshme do të ketë 15 ministri dhe 33 zëvendësministra.
Mandatari për formimin e Qeverisë së Kosovës, Albin Kurti para mediave, tha se janë marrë vesh për ndarjen e përgjegjësive në kuadër të qeverisë së re.
Kurti: Ne tashmë e kemi nënshkruar marrëveshjen
“Ne sot u takuam me kryetarin e Lidhjes Demokratike të Kosovës, me profesor Isa Mustafën, u takuam dhe u dakorduam që të takohemi edhe nesër në seancën e Kuvendit të Kosovës por për ta zgjedhur qeverinë e re. Dhe në këtë mënyrë ta jetosojmë institucionalisht ndryshimin e madh politik të 6 tetorit. Ne tashmë e kemi nënshkruar marrëveshjen e jemi marrë vesh për të gjitha, përveç se për harmonizimin e programit edhe për ndarjen e përgjegjësive në kuadër të qeverise së re ku ne do të bashkëqeverisim”, tha Kurti.
Sipas Kurtit, ky proces nuk ka qenë i lehtë, por i sigurt.
Krahas kësaj, kryetari i Lidhjes Demokratike e Kosovës, Isa Mustafa tha se kjo marrëveshje është në dobi të Kosovës.
Mustafa: Është një marrëveshje në dobi të Kosovës
“Ne kemi arritur marrëveshje, e vlerësojmë se është një marrëveshje e mirë, që është në dobi të Kosovës, është në interes të ndryshimeve të cilat domosdoshmërisht duhet të ndodhin në vendin tonë. Vlerësoj se marrëveshja është rezultat i mirëkuptimit dhe një pune të përbashkët mjaft të gjatë me liderin e LVV-së, Albin Kurtin, por edhe me bashkëpunëtorët e tij”, ka shtuar Mustafa.
Kurti tha se në qeverinë që synon ta udhëheq ai do të jenë 15 ministri dhe 33 zëvendësministra. Për çka tha se është qeveria më e vogël në shtetin e pavarur të Kosovës.
Kurti: Më mirë të bëjmë reduktimin më të shpejt në 15 ministri
“Synimi ynë që të kemi 12 ministri ka qenë i drejtë, por kemi thënë që është një tendencë e jona dashamirëse, për të kursyer sa më shumë. Mirëpo në anën tjetër kur kemi analizuar strukturat e ministrive përkatëse, krijimi i disa superministrive është dëshmuar se është kosto më e madhe se sa të kemi 12 ministri. Nëse ne nuk do të bënim një gjë të tillë atëherë do të zvarritej edhe për një vit reduktimi në 12 ministri. Më mirë ta bëjmë reduktimin më të shpejt në 15 ministri se sa të presim më gjatë për reduktimin në 12 ministri”, ka shtuar Kurti.
E sa i përket postit të kryeparlamentarit, Kurti tha se nesër LVV do e propozoi kandidatin e Lidhjes Demokratike të Kosovës. Derisa shtoi se Glauk Konjufca nuk do të jap dorëheqje por do të vijë në ekzekutiv.
Kurti: Nuk do të jap dorëheqje Glauk Konjufca
“Nuk do të jap dorëheqje kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca ai do të vij në ekzekutiv. Është e vërtetë që ka pasur një lloj zgjatje për shkak të interesimit të madh, dhe interesimi është i madh sepse nevojat e qytetarëve janë të mëdha. Ne duam të bëjmë një reformë që është e pesëfishtë, në ekonomi, arsim, shëndësi, siguri e drejtësi”, deklaroi ai.
Për këtë ka folur edhe kreu i Lidhjes Demokratike të Kosovës, derisa ka shtuar posti i presidentit nuk është pjesë e marrëveshjes e cila është nënshkruar sot.
Mustafa: Postin e kryetarit të Kuvendit do të merr ai/ajo të cilës LDK ia ka dhënë besimin
“Sa i përket presidentit ne jemi marrë vesh që ai të mos jetë pjesë e marrëveshjes që sot e kemi nënshkruar, të jetë një çështje për të cilën do të dakordohemi, unë edhe Z.Kurti si lider politik dhe do ta zgjidhim edhe atë çështje në kohën që është e domosdoshme që të zgjidhet. Sa i përket kryetarit të Kuvendit ne e kemi sot Këshillin e Përgjithshëm, e kemi kryesinë ne atje do të vendosim për kuadra dhe kryetar të Kuvendit të Kosovës. Parimisht ne që nga fillimi kemi thënë se kryetarin e Kuvendit do ta merr ai ose ajo të cilit ose të cilës Lidhja Demokratike e Kosovës ia ka dhënë besimin”, tha ai.
Lëvizja Vetëvendosje do të ketë referendum partiak për marrëveshjen, ndërsa Lidhja Demokratike të Kosovës do e nxjerr sot në Këshill të Përgjithshëm.
Nesër do të mbahet seanca plenare, me të vetmen pikë të rendit të ditës, formimin e Qeverisë.