Kryetari i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj, ka vizituar këtë të shtunë Komunën e Malishevës për t’u njohur për së afërmi me gjendjen e krijuar pas shfaqjes së virusit COVID-19 dhe hyrjes në karantinë të kësaj komunë.
Pas takimit që kishte me kryetarin Ragip Begaj, Limaj u shpreh i shqetësuar për faktin se në këtë komunë ka mungesë të mjeteve elementare për trajtimin e koronavirusit.
Limaj theksoi se Ministri i Shëndetësisë, akoma nuk ka kontaktuar me kryetarin e kësaj komune për t’i dëgjuar nevojat e tyre.
I pari i Nismës, i bëri apel ministrisë së Shëndetësisë, të furnizojë këtë komunë me masa mbrojtëse.
Limaj: Urgjentisht MSh-ja të furnizojë Malishevën me material shëndetësor
“U shqetësova nga ajo që dëgjova nga kryetari i Komunës dhe nga drejtori i qendrës shëndetësore, për mungesë të furnizimeve dhe mungesë të mjeteve elementare që atyre ju duhet për të kaluar këtë krizë.120 punëtorë shëndetësorë këtu për ata nuk ka maska të mjaftueshme, doreza ose materiale të tjera dezinfektuese, të cilat janë më se të nevojshme sepse punëtorët shëndetësor dhe këta njerëz këtu si qendër emergjente janë fronti i parë në luftë kundër këtij virusi. Unë kërkoj urgjentisht nga Ministria e Shëndetësisë, të merr masa dhe të bëjë furnizime të plota, për qendrën shëndetësore, për komunën e Malishevës në shërbim të qytetarëve….Është e habitshme me thanë një barnatore ka ndihmuar më shumë se shteti apo qeveria e Kosovës, këtë alarm duhet ta dëgjojnë qeveria qendrore, po ashtu Ministri i shëndetësisë ende nuk ka komunikuar me kryetarin e komunës për të ditur se çka ne fakt po ndodh në komunën e Malishevës, besoj që kjo situatë është edhe në komuna tjera, kërkoj që të merren seriozisht me këtë çështje, të kenë furnizime të mjaftueshëm stafi mjekësor këtu”, tha Limaj.
Ndër të tjerash Limaj tha se, futja e tërë komunës në karantinë, ka qenë hap i ngutshëm dhe se është dashur të futen vetëm fshatrat e prekur.
Kryetari i Komunës së Malishevës, Ragip Begaj, ka bërë të ditur se kjo komunë po përballet me mungesë të masave mbrojtëse, derisa theksoi se Ministria e Shëndetësisë ka ofruar furnizime shumë të vogla.
I pari i Malishevës theksoi se një barnatore në këtë komunë ka ndihmuar më shumë se sa furnizimet që ka ofruar Ministria e shëndetësisë.
Ai përmes një konference për medie, i bëri apel qeverisë dhe ministrisë të ndihmojnë këtë komunë të kaloj pandeminë COVID-19.
Begaj: Një barnatore në Malishevë na ka furnizuar më shumë se Ministria e Shëndetësisë
“I kemi 32 persona të identifikuar me këtë virus, apeli jonë është që të kenë kujdes qeveria e Kosovës dhe të gjithë fak torit e nivelit qendror edhe Ministria, për arsye se jemi më të goditurit dhe jemi me kushtet më të vështira ndoshta. Deri më tani kemi pasur ndihma shumë të pakta e sidomos nga ministria dy furnizime shumë të ulta, që një barnatore në Malishevë na ka furnizuar më shumë se krejt Ministria… Ne jemi tani edhe para rriqrave edhe të goditur me atë virus dhe për atë kërkoj edhe një tretman më të veçantë për komunën tonë”, u shpreh Begaj.
E të njëjtin mendim ndan edhe drejtori i QKMF-së në Malishevë, Nuhi Morina, sipas të cilit, furnizimet që i kanë nga Ministria e Shëndetësisë janë vetëm edhe për 2 ditë.
Morina: Jemi të furnizuar vetëm ëpr dy ditët e ardhshme
“Gabim është nga qeveria e Kosovës që na ka izoluar si komunë e Malishevës, është dashur të izolohen vetëm ato fshatra që kanë qenë të goditura nga COVID-19, e jo gjithë komuna e Malishevës…. Ne kemi edhe për 2 ditë e ardhshme fur nizime nga Ministria e Shëndetësisë, furnizimet janë shumë të pakta, ne apelojmë MSh-në të na furnizojë me masa mbrojtëse punëtorët shëndetësor, duke filluar nga maskat, doreza, dezinfektant dhe rroba një përdorimesh”, tha Morina