Kryetari i Degës së Partisë Demokratike të Kosovës në Skenderaj, Sami Lushtaku, ka reaguar pas refuzimit të kandidaturës së tij për të parin e kësaj komune në zgjedhjet e 17 tetorit, pasi të njëjtit i është konfirmuar dënimi nga Gjykata e Apelit.
Lushtaku përmes një video-adresimi në Facebook ka thënë se presidentja Vjosa Osmani dhe kryeministri Albin Kurti kanë bërë presion mbi institucionet e pavarura dhe ato të drejtësisë për ta penguar kandidaturën e tij.
“Duke parë përkrahjen e madhe të cilën e ka PDK në Skenderaj dhe unë si kryetar dege e kandidat për kryetar të komunës, për të ma pamundësuar kandidimin tim, është bërë presion i madh mbi institucionet e pavarura e ato të drejtësisë. Ky presion është bërë nga presidentja dhe kryeministri”, tha Lushtaku.
Ai ka theksuar se tendencat e individëve dhe grupe të caktuara për ta dëmtuar PDK-në në Skenderaj ka pasur edhe në zgjedhjet parlamentare të 14 shkurtit, duke punuar në interesa të partive të tjera, por që sipas tij, kanë dështuar dhe një gjë e tillë do të ndodhë edhe më 17 tetor.
“Edhe në këto zgjedhje, ata prapë do të dështojnë, sepse Skenderaj është zemra e UÇK-së dhe zemra e PDK-së. PDK e Hashim Thaçit dhe e Kadri Veselit, as nuk thyhet e as nuk dorëzohet. Unë gjithmonë i kam respektuar vendimet e shtetit tim dhe gjithmonë do t’i respektoj. Por këtë nuk e ka bërë Albin Kurti, i cili edhe pse i dënuar nga drejtësia, sot është kryeministër. Unë nuk i kam lënë vetëm asnjëherë qytetarët e vendit tim dhe nuk do t’i lë as këtë herë. Edhe pse po pengohem, unë i siguroj qytetarët se me besimin e tyre me 17 tetor për PDK-në, unë do të jem në krye të qeverisjes së Skenderajt”, tha Lushtaku.
Ai tha se do t’i shterë të gjitha mjetet juridike në dispozicion për të vënë në pah të drejtën e të vërtetën./TV Malisheva