Ka kaluar shifrën e 900-mijëshit numri i vaksinave të administruara ndaj COVID-19 në Kosovë. Deri tash janë kryer saktësisht 903 mijë e 621 vaksinime, sipas uebfaqes së statistikave të Ministrisë së Shëndetësisë.
Po kjo uebfaqe ka bërë të ditur se deri tash janë 306 mijë e 289 qytetarë që i kanë marrë të dyja dozat e vaksinës, ndërsa 291 mijë e 43 kanë marrë vetëm një dozë.
Vetëm të premten janë kryer 20 mijë e 358 vaksinime nga më shumë se 21 mijë terminë që ishin.
Trendi i vaksinimeve në javën e shkuar pati një rënie. Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, njoftoi se kanë mbetur jo shumë doza vaksinash në stok, por me fillimin e javës terminët u hapën dhe ka nisur sërish rritja e numrit të vaksinimeve.
Ai po ashtu njoftoi këtë javë se për shkak të kalimit të afatit të skadimit, janë hequr nga përdorimi më shumë se 130 mijë vaksina “AstraZeneca”, të cilat qenë dhuruar nga Norvegjia.
Javën e ardhshme pritet ardhja e ndihmës prej 500 mijë vaksinash nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.