Në emisionin “Opinion” në Tv Klan u trajtua vdekja e 3-vjeçarit, i cili humbi jetën disa ditë pas vizitës që kreu në klinikën dentare në pronësi të Roland Xhaxhos në Tiranë.

Gazetarja e Klan News, Glidona Daci, raportoi në emision se deklaratat e familjes së 3-vjeçarit dhe të mjekut nga ana tjetër janë kontradiktore.

Gazetarja ka marrë në intervistë xhaxhain e 3-vjeçarit, Gazment Spahia. Sipas xhaxhait, familja ka çuar nipin më datë 28 Shtator në ambientet e klinikës së mjekut Roland Xhaxo, rreth orës 10:00 të paradites dhe se në orën 10:30 fëmija është futur në sallën e operacionit.

Në deklaratën e tij, mjeku ka thënë se djali kishte infeksion të dhëmbëve dhe se duhej me patjetër të bëhej ndërhyrje për të ndërprerë infeksionin te 14 dhëmbët, të cilët duhet të pastroheshin në mënyrë që mos t’i rrezikonin jetën, pas grafisë dhe bërjes së analizave.

Por gazetarja thotë se familjarët e 3-vjeçarit kanë deklaruar se mjeku kreu ndërhyrje në 3, 4 dhëmbë.

Një kontradiktë tjetër është pjesa e gjendjes shëndetësore të 3-vjeçarit pas ndërhyrjes kirurgjikale. Sipas deklaratës së familjarëve të të miturit, 3-vjeçari doli i përgjumur nga salla e operacionit, ndërsa mjeku pretendon se djali ishte i zgjuar kur doli, u shpreh gazetarja Glidona Daci.

Familjarët pretendojnë se nga mjekët e Pediatrisë iu është thënë se narkoza i ka dëmtuar rëndë mëlçinë dhe do të duhej që fëmija të shkonte në trajtim të veçantë spitalor për t’i nxjerrë narkozën.

“Nga ana tjetër mjeku me komunikoi se gjatë 24 orëve të para nga data 28 deri 29 kur u bë ndërhyrja fëmija ka pasur përmirësime, por më pas gjendja e tij shëndetësore është komplikuar”, raportoi gazetarja.

Sakaq do të jetë mjekësia ligjore ajo që do të ketë fjalën e fundit për arsyen e saktë të vdekjes së 3-vjeçarit. Sipas xhaxhait, gjendja shëndetësore e fëmijës pasi u kthye në shtëpi pas operacionit u rëndua.

Ai tha se fëmijës iu rrit temperatura, u zverdh e për rrjedhojë u dërgua menjëherë në urgjencën e Pediatrisë. Gjatë fjalës së tij, moderatori, Blendi Fevziu, shprehu ngushëllimet për familjen e 3-vjeçarit.

/TV Malisheva

Share.