Flamuri kuq e zi është ngritur në ndërtesën e Këshillit Kombëtar Shqiptar në Luginë, për të shënuar 110 vjetorin e Pavarësisë së Shqipërisë. Kryetari Ragmi Mustafi ka thënë se do të vazhdojnë betejën politike dhe juridike për legalizimin e simboleve kombëtare shqiptare.

Musafi derisa ka uruar 28 Nëntorin, ka kujtuar sakrificën e shqiptarëve në Preshevë, Bujanoc e Medvegjë.

“Edhe sot si katër vite radhazi, nga pozita e kryetarit të këtij institucioni, vendosëm të valojë flamurin kombëtar në Këshillin Kombëtar Shqiptar. Për nderë të sakrificës së shqiptarëve në Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë. Pavarësisht, përndjekjes së autoriteteve serbe e ndalimit me ligj. Nuk është zgjidhje vendosja e flamurit kombëtar krahas atij serb për një ditë si kompromis në heshtje i mos zhvillimit të procedurave të kundërvajtjes. E as vendosja, vetëm flamurit kombëtar për një ditë të vetme. Vetë ndalimi me ligj i flamurit kombëtar shqiptar është njollosje e tij nga shteti. Nuk i takon shtetit t’i përzgjedhë veçoritë identitare të bashkësive të ndryshme etnike/kombëtare”, ka shkruar Mustafi në Facebook.

Ai ka thënë se janë ligjet diskriminuese ato që duhen ndryshuar e jo simbolet kombëtare.

“Këshilli Kombëtar Shqiptar do ta vazhdojë betejën politike dhe juridike për legalizimin e simboleve kombëtare shqiptare. Simbolet tona. Pa ndryshime. Pa dallime. Simbolet kombëtare nuk duhen ndryshuar! Janë ligjet diskriminuese ato që duhen ndryshuar! Flamuri kombëtar shqiptar do të valojë në Luginën e Preshevës! Gjithnjë, gjithmonë, përgjithmonë! Urime 28 nëntori – Dita e Flamurit”, ka përfunduar ai.

Më 28 nëntor shqiptarët festojnë Ditën e Flamurit, përvjetorin e lindjes së komandantit legjendar, si dhe kujtojnë daljen e parë publike të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.  /TV Malisheva

Share.