Seanca e jashtëzakonshme e Kuvendit Komunal të Prishtinës për mbrojtjen e liqenit të Badovcit nisi dhe vazhdoi me debat të ashpër të mes të pozitës dhe opozitës.

Gjithçka nisi kur iniciuesi i kësaj seanca të jashtëzakonshme nga radhët e PDK-së, Leotrim Retkoceri kërkoi që rekomandimet për këtë seancë t’i paraqesë një nga përfaqësuesit e qytetarëve të pranishëm në seancë.

Kjo u kundërshtua nga kryesuesi i Kuvendit Komunal, Agim Kuleta i cili tha se kjo është shkelje procedurale dhe nuk mund ta lejojë një gjë të tillë.

Këtu nisi i gjithë debati dhe asamblistët e partive politike filluan debatin e tyre se duhet të lejohet një gjë e tillë, ndërsa më pas u dakorduan që rekomandimet t’i lexoj Ali Sefaj si përfaqësues i qytetarëve.

Sefaj tha se qytetarët janë të shqetësuar me gjendjen e krijuar dhe prezantoi rekomandimet për Kuvendin Komunal të Prishtinës e të cilat janë anulimi i vendimit të komunës së Prishtinës për caktimin e kushteve ndërtimore për ndërtimin e lagjes në Badovc, pezullimi i të gjitha vendimeve dhe procedurave të dhënies së kushteve ndërtimore dhe lejeve ndërtimore në zonën e parë, dytë dhe tretë mbrojtëse të Badovxti deri në nxjerrjen e dokumenteve të reja të planifikimit, si dhe që të fillohen procedurat që zona përreth Badovcit të shpallet peizazh i mbrojtur duke u bashkuar me atë të Gërmisë.

Situata u tensionua kur në foltore doli i pari i komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti i cili derisa dha sqarimet e tij me dhënien e kushteve ndërtimore për projektin në liqenin e Badovcit, theksoi se kërkesa e kompanisë ndërtuese ishte refuzuar dy herë nga komuna, por që zona e dytë e liqenit mbrohet nga Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor.

Më pas Ahmeti tha se nëse vjen vendim nga Ministria e Mjedisit për pezullim të kushteve të lëshuara, ai atë vendim do ta zbatojë ‘për 5 minuta’.

Ahmeti: Për 5 minuta i tërheqim kushtet

 

“Qejfi im më i madh është që mos të lejohet ndërtimi në Badovc sepse i heq goxha do gajle prej ekzekutivit sepse kurrfarë interesi nuk kemi për t’i ndërtuar ato lagje. Me mund e qojmë rrethin edhe më tutje…Krejt në rregull që t’i ndalojmë, por sot kemi ligje në fuqi, plani zhvillimor komunal është në fuqi  dhe është minimum jetëgjatësi 8 vite, planet rregullative nuk lejohet të rregullohen pa kalua 5 vjet… Nuk ka gati asnjë ndërtim që është pa leje ose me leje rreth liqenit të Badovcit, zonën e dytë e mbron ministria, ne nuk ka gjasa as teorike për të lëshuar kurrfarë leje pas pasur vendim të gjykatës dhe po ju them po ashtu se nëse sot na e lëshon ministria vendimin për pezullim të kushteve që ia ka lëshua komuna, le të thonë ata komuna e ka shkelur ligjin – brenda 5 minutave i tërheqim kushtet sepse po e mbrojmë komunën nga paditë”, tha ai.

E këtu më pas reagoi asamblisti i Lëvizjes Vetëvendosje, Egzon Azemi i cili tha se Ahmeti nuk pati guxim të dalë në debat publik për të dhënë sqarime rreth dhënies së kushteve për ndërtim në Badovc, por i menjëhershëm ishte reagimi i të parit të Prishtinës i cili i tha Azemi se përmes temave të tilla nuk mund të fitojë vota.

Debati u bë edhe ‘më i nxehtë’ kur asamblisti i Vetëvendosjes ia përmendi ngritjen e padisë kryetarit të Prishtinës i cili më pas tha si me ironi se po frikësohet.

Azemi: Shpend Ahmeti po e fajëson ministrinë

 

“Në çdo seancë sa herë që ke marrë pjesë edhe pse rrallë ke marrë pjesë vazhdimisht je arsyetuar për çdo kritikë që e ke marrë  edhe ke filluar të lëshosh propaganda të llojeve të ndryshme. Zotëri kryetar të kanë ftuar qytetarët në debat publik bashkë me ministrinë, ministri ka pranuar, ti nuk ke guxuar. Tash a e dinë çfarë loje jeni duke luajtur, ti e fajëson ministrinë…Ahmeti: Nuk është betejë politike që ti të fitosh vota o Egzon Azemi. Azemi: Nuk e kam dertin e votave o zotëri Ahmeti e kanë 30 mijë qytetarë brengën për Badovcin për të cilën hala nuk ke guxim me thanë që definitivisht keni të drejtë jam me juve, por për shkak të borxheve tuaja, se unë e di që keni hyrë në borxhe në momentin që je marr kaq shumë me këtë projekt. A e keni ditur se çfarë kushtesh po nënshkruhen. Ju e dini përgjegjësinë që e keni madje edhe vetë e thatë të mos bëhem objekt i padive, objekti i padive do të bëhe t me ose pa qefin tënd, sepse keni bërë shkelje. Unë jam duke u tutur shumë… Azemi: Jo ti më nuk po tutesh vetëm ki me mbajt përgjegjësinë”, u shprehen Azemi dhe Ahmeti në debatin e tyre të ashpër.

Ahmeti gjatë përplasjes me asamblistin Azemi ndër të tjerash tha se Lëvizja Vetëvendosje më së shumti i ka bërë presion për lagjen e Badovcit.

Ahmeti: Presioni më i madh për Badovcin ka ardhur nga Lëvizje Vetëvendosje

 

“Kërcënim është ajo po mendon se po tutna unë prej teje me kallëzime tuja penale lëri ato farë ‘fore’ nëse ke ardhur me mbrojtur Badovcin, mbroje Badovcin nëse do arenë diskutimi sa për të dalë në televizion, unë nuk ta jap atë kënaqësi… A po do të bësh propagandë apo për të ndalë ndërtimin, nuk po di presioni më i madh për këtë lagje më ka ardhur nga Vetëvendosja. A po do të flasësh a po kupton lërë këtë muhabeti, mos hi andej”,  u shpreh Ahmeti.

Gjatë këtij debati reagoi edhe asamblisjta e PSD-së Vala Peshku e cila tha se tha se PDK dhe VV po mendojnë të arrijnë poenë politikë duke e përdor këtë temë të ndjeshme.

Iniciuesi i kësaj seance të jashtëzakonshme nga radhët e PDK-së, Leotrim Retkoceri ka kërkuar sqarime dhe informata në lidhje me tendencat për ndërtime banesore në liqenin e Badovcit.  Ai tha se nuk do të lejojnë shkelje ligjore në këtë çështje.

Retkoceri: Qëllimi i seancës është të hidhet dritë mbi zhvillimet e fundit për Badovcin

 

“Qëllimi i thirrjes së kësaj seancës së jashtëzakonshme për mbrojtjen e Liqenit të Badovcit  është që të hedhim dritë mbi zhvillimet e fundit në lidhje me temën dhe të kthejmë rrugën institucionale të diskutimit në Kuvendin Komunal të Prishtinës. Kjo seancë është mundësi që qeverisja lokale dhe kryetari i saj të sqarohen për të gjitha rrethanat dhe në fund anëtarët e Kuvendit, asamblistët të votojnë në interes për qytetarët e Prishtinës në përputhje me kompetencat e tyre”, tha ai.

Ndërsa, shefi i grupit parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Halim Halimi tha se LDK kërkon pezullimin e këtij ndërtimi derisa të nxirren dokumentet e nevojshme të planifikimit.

Halimi: LDK kërkon pezullim të ndërtimit të lagjes në Badovc

 

“Është qëndrimi  i prerë dhe i qartë që të pezullohen ndërtimet në buzë të liqenit të Badovcit edhe atë derisa të nxirren dokumentet e planifikimit, Plani Zhvillimor Komunal, Urban por gjithsesi edhe Harta Zonale, prandaj këtu ka mendime të ndryshme realiteti është se qytetarët janë të shqetësuar për problemin e ujit të pijshëm në lagjen e Badovcit. Është kënaqësi të kemi në Prishtinë një projekt të tillë, mirëpo më jetike është çështja e furnizimit të qytetarëve me ujë të pijshëm”, u shpreh ai.

Ndërsa, seanca e jashtëzakonshme e thirrur nga asamblistët e PDK-së për mbrojtjen e liqenit të Badovcit nga ndërtimet është duke vazhduar, dhe në pjesën e dytë të debatit pritet të votohen rekomandimet, ku ndër kryesorët është pezullimi i vendimit për dhënien e kushteve ndërtimore për lagjen e Badovcit./ TV Malisheva /

Share.