Sektori për Punë të Brendshme Tetovë, ka njoftuar sot se, gjatë 24 orëve të kaluara, 86 persona në rajonin e Tetovës kanë marrë urdhërpagesa kundërvajtëse, sipas nenit 6 nga Dekreti qeveritar. Në bashkëveprim me Inspektoratin Shtetëror të Tregut ishin kontrolluar 18 objekte hotelierike, transmeton Portalb.mk.

“Sektori i Punëve të Brendshme Tetovë i bën thirrje qytetarëve që në tërësi ta respektojnë Dekretin qeveritar për bartjen e mbrojtjes personale në fytyrë që të pengohet përhapja e infeksionit me KOVID-19. Sipas këtij Dekreti, secili është i obliguar që të bart mbrojtje personale pasi del nga shtëpia e tij, gjatë lëvizjes në vende dhe hapësira publike të llojit të hapur dhe të mbyllur, në tregje, në transport publik, gjatë hyrjes në hapësira të mbyllura (shitore, banka, posta, institucione shëndetësore dhe të ngjashme). Mbrojtja e fytyrës nënkupton që të mbulohet goja dhe hunda me maskë, shami të mëndafshtë, shall, mbulesë pambuku, etj. Përkujtojmë se gjoba është 20 euro në kundërvlerë denari për persona fizikë dhe 2000 euro për persona juridike, plus 500 euro për personin përgjegjës”, kanë njoftuar nga SPB Tetovë.

Për 24 orët e kaluara (31 maj/1 qershor) nuk ka vendime të reja për izolim nga Inspektorati Shtetëror Sanitar Shëndetësor, ndërsa gjithsej ishin kontrolluar 182 persona me vendime të tilla. Nuk ka deklarata të reja për vetizolim, ndërsa janë kontrolluar 35 persona.

Share.