Në dy javët e fundit të gushtit, mbi 100 seminaristë nga e gjithë bota do të marrin pjesë në Seminarin Ndërkombëtar për Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën Shqiptare. Këtë vit shënohet edicioni i 40-të, i seminarit, ku do të mbahen ligjërata nga albanologë të huaj e vendor. Edicioni i sivjetmë do të nis të hënën dhe do të përfundojë me 26 gusht.

Drejtori i seminarit, Shkumbin Munishi në intervistën thotë se nga viti 1974, kur ka nisur të organizohet seminari, është arritur që Prishtina dhe Kosova të shndërrohet në qendër të albanologjisë.

Munishi: Seminari i gjuhës është prej ngjarjeve më të rëndësishme në fushën e studimeve të albanologjisë

“Edicioni i sivjetmë i Seminarit Ndërkombëtar për Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën Shqiptare është edicion jubilar i 40-të. Pra, janë dyzet edicione të seminarit që janë mbajtur dhe që do të mbahet sivjet. Është një edicion jubilar dhe në këtë kuptim është një tregues i një tradite tashmë të vendosur të seminarit. Si një prej ngjarjeve më të rëndësishme në fushën e studimeve të albanologjisë, por edhe të mësimdhënies së gjuhës shqipe. Meqë është edicion jubilar, sivjet kemi bërë përpjekje që të ftojmë personalitete të ndryshme, albanologë nga vende të ndryshme të botës të cilët do të jenë pjesëmarrës në edicionin e sivjetmë”, thotë ai për KosovaPress.

Akomodimi i seminaristëve do të bëhet në konviktet e Qendrës Studentore të Universitetit të Prishtinës. Përveç ligjëratave të albanologëve të shquar, do të mbahen dy herë në ditë edhe kurset e gjuhës.

Drejtori i seminarit, Shkumbin Munishi shton se këtë vit do të shënohet numër rekord i pjesëmarrësve në 40 vjetorin e edicionit, ndërkohë që seminari organizohet tash e 48 vjet.

Munishi: Kemi më tepër se 100 seminaristë që do të vijnë nga vende të ndryshme

“Sivjet kemi një interesim jashtëzakonisht të madh, do të kemi një numër shumë të madh të seminaristëve, i cili këtë vit do ta kalojë numrin 100. Kemi më tepër se 100 seminaristë që do të vijnë nga vende të ndryshme. Përveç tyre do të kemi edhe albanologë të huajë dhe vendas që po ashtu do të marrin pjesë në aktivitetet shkencore të seminarit. Pjesëmarrja në këtë edicion të seminarit është shumë e madhe. Do të kemi seminaristë që do të vijnë nga vende të ndryshme të botës, nga qendrat albanologjike që janë në Poloni, Bullgari. Pastaj do të vijnë mysafirë nga Turqia, Holanda, nga Gjermania sivjet do të kemi një numër të konsiderueshëm, Italia, Serbia, Maqedonia”, shprehet ai.

Seminari i Gjuhës Shqipe tashmë është bërë një qendër e studimeve albanologjike, për çka Munishi tregon se në dy javët e fundit të gushtit do të ketë gjallëri në kryeqytet.

Munishi: Ne kemi të ftuar albanologë të shquar të huaj e shqiptarë

“Është një edicion jubilar dhe ne kemi ftuar albanologë prominent që të jenë pjesëmarrës në seminar. Këtë vit do të kemi disa ligjërata shumë të rëndësishme të albanologëve të shquar të huaj dhe shqiptarë. Këtë vit do ta kemi mysafire albanologen e nderuar Irena Sawicka, Artur Karashinski, Ekaterina Tompomanova, Eda Derhemi nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Bardhyl Demiraj dhe natyrisht do të kemi ligjërata nga albanmologë të shquar vendas të Kujtim Shalës, Kujtim Rrahmanit, Rrahman Paçarizit. Këtë vit kemi një numër të konsiderueshëm të ligjëratave”, njofton Munishi.

Seminari Ndërkombëtar për Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën Shqiptare, do të nis të hënën dhe do të përfundojë më 26 gusht. Hapja e edicionit të 40-të do të bëhet në orën 11:00 në Bibliotekën Universitare.

Ky seminar, i cili është themeluar në vitin 1974, organizohet për studentët dhe studiuesit e gjuhës, letërsisë dhe kulturës shqiptare, por edhe për albanologjinë në përgjithësi. /TV Malisheva 

Share.