Kryetarja e Kuvendit të Shqipërisë, Lindita Nikolla priti sot në takim delegacionin e Komisionit për Legjislacionin, Mandatet, Imunitetin dhe Rregulloren të Kuvendit të Kosovës, i cili ndodhet në Tiranë për të diskutuar me kolegët për hartimin e Kodit të Etikës, me mbështetjen teknike edhe të Institutit Kombëtar Demokrat të ShBA-së.

Nikolla, siç u bë e ditur në njoftim, përgëzoi kolegët nga Kosova për bashkëpunimin intensiv me kolegët e Kuvendit të Shqipërisë dhe nënvizoi se Marrëveshja e Bashkëpunimit mes dy Kuvendeve po nxit dhe po intensifikon bashkëpunimin parlamentar dhe mes institucioneve, në shërbim të qytetarëve.

Ndërsa, deputetët e Kuvendit të Kosovës falënderuan kryeparlamentaren Nikolla për angazhimin institucional dhe personal në mbështetjen e bashkëpunimit mes Kuvendit të Shqipërisë dhe Kuvendit të Kosovës dhe vlerësuan bashkëpunimin shumë të frytshëm me kolegët e Kuvendit të Shqipërisë.

/TV Malisheva

Share.