Qeveria sot ka prezantuar fillimin e zbatimit të masës 3.5, pagesat për lehonat dhe shtesat për fëmijët nga pakoja e ringjalljes ekonomike.

Me vendimin e Ministrisë së Financave që nis të zbatohet nga ky muaj, nënat e reja (lehonat) do të mbështeten nga Qeveria duke përfshirë 170 në muaj dhe njëkohësisht do të fillojë zbatimi gradual i programit për shtesat e fëmijëve, nga 20 deri në 10 euro në muaj.

Kryeministri Albin Kurti, tha se nga sot po realizojnë një zotim të tyre pa u bërë 6 muaj qeverisje për mbështetje të lehonave dhe shtesave për fëmijët.

Kryeministri Kurti tha se me këtë mbështetje po rrisin mirëqenien dhe po ulin varfërinë në vend.

“Përveçse premtim zgjedhor e qëllim programor i Qeverisë, kjo mbështetje për gratë dhe fëmijët është vlerë dhe botëkuptim i kësaj qeverie. Ne jemi zotuar para qytetarëve se do ta rrisim mirëqenien e tyre dhe do ta ulim varfërinë. Këto janë dy prej kritereve më të rëndësishme me të cilat do të vlerësohem. Nëpërmjet zbatimit të masës 3.5 të Pakos së Ringjalljes Ekonomike, pagesat për lehonat dhe shtesat për fëmijë po dëshmojmë se në Republikën e Kosovës, tani qytetarët dhe nevojat e tyre janë pikënisje e politikave të qeverisjes”, theksoi Kurti.

Ministri i Financave, Hekuran Murati në konferencën e përbashkët me kryeministrin Kurti në lidhje me zbatimin e masës 3.5, tha se fuqizimi i pozitës së gruas në shoqëri është njëra ndër ndryshimet rrënjësore që kjo qeveri po shtynë përpara.

Derisa Murati ka treguar për pagesat që do të bëhen në dy forma për lehonat.

“Pagesat për lehonat do të ofrohen për të gjitha gratë mbi moshën 18 -vjeçare që janë shtetase të Kosovës dhe kanë lindur nga data 1 gusht e këtij viti e tutje. Pagesa bëhet në dy forma, apo për dy kategori, është për lehonat e papunësuara, për ato që në ATK në 12 muajt e fundit figurojnë se janë të papuna, para datës së lindjes, për të cilat mbështetja do të jetë në vlerën e pagës minimale për 6 muaj, si dhe pagesa për të gjitha lehonat tjera që figurojnë në 12 muajt e fundit që kanë qenë të punësuara për të cilat mbështetja do të jetë në vlerë të pagës minimale për 3 muaj”, theksoi ai.

Ministri Murati ka treguar edhe për formën e mbështetjes financiare për grup-moshat e fëmijëve, që nis së zbatuari nga shtatori i këtij viti dhe vazhdon gradualisht.

“Pagesat e fëmijëve do të fillojnë të ndahen qysh tani dhe implementimi i plotë e kësaj skeme do të bëhet në mënyrë graduale, pra me kohë do të shtohen grup moshat që përfitojnë shtesat, ashtu siç e kemi premtuar. Pra, është si në vijim: Shtesat për fëmijë 0-24 do të jenë në vlerën 20 euro, kurse për mbi 24 muaj deri në moshën 16 vjeçare do të jenë në vlerë prej 10 euro në muaj. Kurse, për grup moshat, implementimi gradual do të jetë si në vijim: Nga data 1 shtatori i këtij viti, hapet aplikimi për shtesat për fëmijët që kanë lindur nga data 1 janar e vitit 2020 e tutje, pra të gjithë fëmijët që kanë lindur në vitin 2020 dhe 2021 do të fillojnë përfitimin qysh tani. Kurse, nga data 1 janar e vitit të ardhshëm, 2022 dhe tutje shtohet grup mosha për të gjithë fëmijët që kanë lindur në vitin 2018 e tutje dhe kështu me radhë do të shtojmë deri në korrik të vitit 2023, ku do të përfshihen të gjitha grup moshat nën moshën 16-vjecare”, theksoi Murati.

Si për pagesën e lehonave, ashtu edhe për shtesat e fëmijëve gjithçka që u nevojitet aplikuesve janë të dhënat personale të tyre dhe numri i llogarisë bankare, së bashku me të dhënat personale të fëmijëve.

Aplikimi për të dyja skemat, pra edhe për shtesat për lehona, edhe shtesat për fëmijë bëhet në mënyrë elektronike duke plotësuar formularët që janë të qasshëm në platfromën “E-Kosova”. /TV Malisheva

Share.