Nisma Socialdemokrate dega në Malishevë reagon ndaj vendimeve të mbrëmshme, të Qeverisë Kurti
Reagimi i plotë:
Të dashur qytetarë të Komunës së Malishevës,
Kohën e fundit, komuna jonë është duke u ballafaquar me pandeminë “CoronaVirusi”, ku fatëkeqësisht Qeveria qendrore deri më tani nuk ka bërë asgjë konkrete për ta ndihmuar komunën tonë, përkundrazi mbrëmjen e kaluar në mbledhjen e “territ” ka filluar t’i ndërpres investimet për Komunën e Malishevës.
Të nderuar qytetarë, duhet të informoheni se kjo qeveri në buxhetin e vitit 2020, për Komunën e Malishevës nuk ka ndarë asnjë projekt të ri, poashtu edhe projektet dhe investimet e miratuara disa edhe të kontraktuara nuk janë përfshirë në buxhetin e vitit 2020.
Pas njoftimit se është anuluar me vendim të qeverisë “Zona Ekonomike” në Malishevë, zonë kjo shumë e domosdoshme për investitorë të brendshëm dhe të jashtëm, kundërshtojmë këtë vendim arbitrar dhe të pa moralshëm, ku dëmton bizneset, ndalon investimet dhe krejt në fund ndikon në ekonominë e gjithë qytetarëve të Komunës së Malishevës.
Ky diskriminim që po i bëhet Malishevës ka vetëm një motiv, sepse Malisheva qeveriset nga Nisma Socialdemokrate.
Sigurojmë qytetarët e Malishevës se do jemi zë kritik dhe do t’i mbrojmë ndaj çdo padrejtësie që ju bëhet, ose që synohet të ju bëhet.
I bëjmë me dije zotri Kurtit se Malisheva ka zot shtëpie, që i del zot qytetarëve dhe që kundërshton çdo diskriminim që ju bëhet qytetarëve të Komunës së Malishevës.
I bëjmë me dije zotri Kurtit që secili politikan i cili ka marrë në thua në Malishevë ka pas jetëgjatësi të shkurtër në pushtet.

Share.