British Council në kuadër të programit “Shkollat e shekullit 21”, në partneritet me MASHT-in ka organizuar “Sfidën e kodimit” me shkollat fillore të mesme të ulëta në Kosovë.

Me këtë rast, mendimi kritik dhe kreativiteti u konsideruan shkathtësi të nevojshme tek të rinjtë për t’i përgatitur ata për një të ardhme më të sigurt.

Ambasadori i Britanisë së Madhe në Kosovë, Nicholas Abbott tha se përfshirja e nxënësve në mësimdhënie përmes mendimit kritik është bazë për një arsim të shëndoshë.

Sipas tij, programi i British Council bazohet pikërisht në përgatitjen dhe krijimin e një ambienti ku nxënësit zhvillojnë shkathtësitë e tyre dhe kreativitetin për një të ardhme më të mirë.

Abbott: Këto shkathtësi i ndihmojnë nxënësit për të ardhmen

“Është e një rëndësie të veçantë për nxënësit në Kosovë në mënyrë që ata të kenë mundësi më të mira për punësim në të ardhmen. Mendimi kritik, zgjidhja e problemeve, kodimi dhe mbi të gjitha kreativiteti janë shkathtësi që do t’i përgatisin ata për të ardhmen që do të jetojnë dhe punojnë”, tha ai.

Këtë program e vlerësoi shumë edhe ministri në detyrë i Arsimit Shkencës dhe Teknologjisë, Shyqiri Bytyqi, i cili tha se ky është njëri ndër investimet më të rëndësishme në arsimin fillor të mesëm të ulët.

Teksa tha se investimi në shkathtësitë dixhitale dhe mendimin kritik është i nevojshëm në këto shkolla.

Bytyqi: Po arrijmë të përvetësojmë këtë projekt

“Ajo çka është vërejtur në këtë periudhë të këtij programi, por edhe sot në garën e sfidës në kodim shihet qartë se po e arrijmë me sukses të përvetësojmë projektin. Që nxënësit tonë të përvetësojmë shkathtësitë më të nevojshme për të sfiduar të ardhmen dhe zhvillimin global që po ndodhë e që është mendimi kritik zgjidhja e problemeve dhe çështja e kodimit”, u shpreh ai.

Ndërkaq, drejtori i British Council në Kosovë, Angus Bjarnason duke folur për programin që ai po udhëheq tha se zbulimi i shkathtësive tek të rinjtë është i nevojshëm për sigurimin e një vendi të sigurt të punës në të ardhmen.

Bjarnason: Ajo që kërkohet sot është të keni shkathtësi dhe kreativitet

“Kur flasim me punëdhënësit sot, ajo që kërkojnë është që të keni shkathtësi të përsosura dhe kreativitet…Kjo është treguar edhe sot, është treguar punë e mirë ekipore dhe një kreativitet shumë i madh”, tha ai.

Në fund për tri shkollat fituese u ndan edhe çmime.

Share.