Mungesa e kuadrit profesional, përshtatja e kurrikulave në përputhje me nevojat e tregut, akreditimi i profesioneve të caktuara pas analizimit të tregut të punës, aplikimi i mësimit dual, krijimi i një strategjie me sektorët prioritarë që ka Kosova si dhe aplikimi i punës praktike për nxënësit dhe studentët gjatë procesit të shkollimit ishin disa nga çështjet kryesore të cilat u diskutuan në mes përfaqësuesve të OAK-ut dhe kryetarit të Komisionit për Arsim, Shkencë dhe Teknologji, Ardian Gola.

Kryetari i Bordit të OAK-ut, Skënder Krasniqi duke uruar për punën kryetarin e Komisionit shpalosi aktivitetet dhe prioritetet e Odës duke theksuar se mungesa e kuadrit profesional po i vështirëson punën bizneseve. Krasniqi, në mes të tjerash potencoi se është nevojë imediate që të rritet bashkëpunimi në mes bizneseve dhe shkollave profesionale ashtu që të krijohen drejtime për të cilat ka mungesë kuadri.

Nga ana tjetër sekretari i Bordit të OAK-ut, Diamant Elshani theksoi se Oda e Afarizmit të Kosovës (OAK) është e gatshme të ofrojë bashkëpunim maksimal.

Hasan Gigollaj, anëtar i Bordit të OAK-ut, e vlerësoi si shumë shqetësuese çështjen e literaturës për fëmijët e arsimit parafillor dhe fillor e cila duhet të i nënshtrohet një vlerësimi rigoroz, për shkak të mënyrës se si informacionet janë të plasuara në këto libra.

Kryetari i Komisionit për Arsim Shkencë dhe Tekonologji, Ardian Gola, falënderoi OAK-un për këtë takim konstruktiv. Gola theksoi se është i hapur për bashkëpunim dhe se kërkesat e Odës do t’i marrë për shqyrtim, duke i adresuar të njëjtat edhe në Parlament.

OAK kërkon nga Kuvendi, Qeveria, Ministria e Arsimit Shkencës dhe Teknologjisë si dhe institucionet e tjera relevante që të marrin parasysh kërkesat e tyre, pasi aktualisht ka një shpërputhje ndërmjet kuadrove dhe nevojave reale të tregut të punës, gjë e cila po interferon në punën e bizneseve dhe shkallën e papunësisë në vend./TV Malisheva

Share.