Sekretari i Përgjithshëm i Organizatës për Bashkëpunim dhe Zhvillim Ekonomik (OECD), Angel Gurría ka shprehur mbështetjen e kësaj organizate për Kosovën në përpjekjet e saj për të rimëkëmbur ekonominë pas situatës me koronavirus.

Në një letër dërguar kryeministrit në detyrë Albin Kurti, Angel Gurria shprehu solidaritetin me Qeverinë dhe qytetarët e Kosovës në këto kohë të vështira të ballafaqimit me pandeminë COVID-19, duke thënë se kjo krizë e paprecedentë po e teston kapacitetin tonë të përbashkët për të reaguar dhe bashkëpunuar.

Gurría siguroi kryeministrin në detyrë Kurti se Organizata për Bashkëpunim dhe Zhvillim Ekonomik është e gatshme që të angazhohet dhe të mbështesë Qeverinë në përpjekjet e saj për të rimëkëmbur ekonominë pas situatës së krijuar me virus.

Në fund, Gurría u shpreh se çdo krizë e madhe vë në pah mundësitë për të ri-menduar sistemet tona.

“Para vetes kemi një mundësi unike për të transformuar mënyrat se si prodhojmë, konsumojmë dhe sillemi”, ka thënë ai./TV MALISHEVA/

Share.