Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka dhënë detaje për takimin që kishte me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, si dhe ka bërë të ditur kërkesën e presidentit të Francës, Emanuel Macron dhe kancelarit të Republikës Federale të Gjermanisë, Olaf Scholz, të cilëve ia ka konfirmuar se mund të mbahen zgjedhjet në katër komunat në veri të vendit, gjithnjë duke respektuar legjislacionin në fuqi.

Osmani në një konferencë për media, në kuadër të samitit të dytë të liderëve të Komunitetit Politik Evropian në Kishinau, ka thënë se nuk kishte plane ta takonte presidentin e Serbisë, Vuçiq por se është takuar pasi kishte këmbëngulje nga shumica e liderëve evropian.

“Ne ia kemi shtrirë dorën e bashkëpunimit Serbisë prej vitesh, kështu që nuk është hera e parë që gjendemi bashkë me Vuçiqin në një tubim të tillë. Por më duhet të them se ky takim, i cili ishte me insistimin e Presidentit Macron dhe kancelarit Schultz, që unë i respektova duke qenë se ata janë disa nga aleatët tanë më të afërt, nuk ishte një takim negociues, ishte një takim joformal siç ata e quajtën, ku shkëmbyem mendime. Mund të them se z. Vuçiq ka shkëmbyer mendime, ai ankohej dhe natyrisht duke mos thënë të vërtetën, që është një virtyt i tij, pasi ka qenë ministër i propagandës së Millosheviqit, por pata rastin edhe ta pyes para së gjithash se a konsideron ai se ka marrëveshje me Kosovën apo jo? Kjo është një pyetje kyçe, sepse ai ka marrë obligime në Bruksel, dhe nëse del nga një media në tjetrën dhe thotë se nuk do ta zbatojë, atëherë e vë në pikëpyetje të gjithë procesin”, tha ai.

Gjatë këtij takimi, Osmani tregoi se çka kërkoi nga Vuçiq.

“I kërkova që ta largonte ushtrinë e tij nga kufiri me Kosovën. Dhe së treti, i kam kërkuar që të heqë mbështetjen ndaj këtyre bandave kriminale që po u shkaktojnë dhimbje qytetarëve të thjeshtë, veçanërisht serbëve që jetojnë në veri duke i frikësuar dhe duke ushtruar dhunë ndaj tyre. Dhe në fund, ritheksova përkushtimin e plotë të Republikës së Kosovës për të zbatuar plotësisht çdo pikë të marrëveshjes, e cila u arrit në Bruksel dhe në Ohër. Vuçiq ishte i tërbuar, siç e dini, i pëlqen të ofendojë në gjuhën e tij, por ajo që ishte e rëndësishme është se ne morëm këshillat e aleatëve tanë për këtë takim, dhe natyrisht, qëndrimet që unë shpreh në emër të Republikës së Kosovës janë të njëjta kur Vuçiqi është në dhomë dhe të njëjta kur Vuçiqi nuk është në dhomë”, tha Osmani.

Osmani tregoi se si presidenti Macron dhe kancelari Schultz, i kërkuarn Kosovës që të organizojë zgjedhje të reja në veri, për të cilat ajo shtoi se ato mund të mbahen.

“Kishte disa kërkesa që presidenti Macron dhe kancelari Schultz kishin si për Kosovën ashtu edhe për Serbinë. Nuk është se presidenti Vuçiq u përgjigj në asnjë nga ato pyetje që ata kishin për të. Ndërsa, ajo që ata kërkuan nga Kosova është që të gjejë një mënyrë për të mbajtur zgjedhje të reja në veri, që do t’u jepte mundësinë qytetarëve serbë të marrin pjesë dhe kryetarët e komunave të zgjedhin me një legjitimitet më të madh. Dhe unë i informova se korniza jonë ligjore e lejon këtë mundësi dhe ne jemi të gatshëm ta konsiderojmë atë në përputhje me ligjin e Kosovës për zgjedhjet. Kjo do të thotë se qytetarët serbë, rreth 20% e tyre që janë në listat zgjedhore, mund të nënshkruajnë një peticion dhe përmes kësaj, ata mund të inicojnë procesin e zgjedhjeve të reja dhe ne jemi të gatshëm të zbatojmë ligjin. Është shumë e lehtë, është një proces shumë demokratik, ne i lejojmë qytetarët tanë të përcaktojnë se kur duan zgjedhje të reja dhe besoj se pa problem mund të ecim përpara me këtë, por duhet pjesëmarrje nga ana e tyre. Ata mund të zgjedhin kryetarin e komunës me një legjitimitet më të lartë, por duhet të marrin pjesë. Vuçiqit iu kërkua që të mos ndërhyjë, të mos u bëjë presion qytetarëve që të mos marrin pjesë. Nga ana e tij nuk ka pasur përgjigje”, tha ajo.

Osmani foli edhe për marrëveshjet e arritura në Bruksel e Ohër, duke thënë se të kërkosh vetëm nga njëra palë për ta zbatuar nuk do të ndihmojë në besueshmërinë e procesit.

“Sigurisht që mund të ketë një de-përshkallëzim, por de-përshkallëzimi fillon në Beograd, duhet bërë këto banda kriminale të ndalojnë së shkaktuari dhunë në veri të Kosovës ndaj qytetarëve të pafajshëm, kjo është kyçe dhe se ajo që ne kemi kërkuar të ndodhë. Kur bëhet fjalë për asociacionin e komunave me shumicë serbe, ne jemi zotuar që ta respektojmë këtë obligim, natyrisht në përputhje me Kushtetutën e Kosovës dhe vendimin e Gjykatës Kushtetuese të vitit 2015. Gjë që ndihmon edhe Kosovën të mbajë funksionalitetin e saj brenda vendit, përndryshe mund të rrezikojmë një “Republika Serbska” tjetër në rajon, gjë që nuk mendoj se dikush do të donte ta përsëriste. Pra, sa i përket asociacionit të komunave me shumicë serbe, sigurisht që mund të ketë përparim, por duhet të ketë përparim edhe në pikat e tjera të marrëveshjeve, sepse ato nuk janë më pak të rëndësishme. Serbia duhet të ndalojë së kundërshtuari anëtarësimin e Kosovës në organizatat ndërkombëtare, duhet të respektojë integritetin territorial dhe sovranitetin e Kosovës dhe të gjitha parimet e tjera që janë në propozimin gjermano-francez”, tha ajo.

Sipas saj, Kosova është në anën e duhur të historisë dhe po mbron demokracinë, sovranitetin, diçka që u arrit me shumë sakrifica. Osmani ka folur edhe për bashkëpunimin me aleatët e Kosovës.

“Pavarësisht këtyre mosmarrëveshjeve të ditëve të fundit, unë jam duke punuar shumë gjerësisht me partnerët tanë amerikanë, si dhe me partnerët nga BE-ja, dhe të gjithë jemi të të njëjtit mendim se një rrugë përpara, një zgjidhje për de-përshkallëzimin është shumë afër, por ne duhet të sigurohemi që fokusi të jetë në zbatimin e plotë të marrëveshjes, jo vetëm në një pjesë të saj”, tha ajo.

/TV Malisheva

Share.