Lideri i Vetëvendosjes, Albin Kurti para takimit të sotëm me kreun e LDK-së, Isa Mustafa u shpreh i bindur se nuk do të ketë asnjë pengesë, përshirë postin e presidentit që nuk do të tejkalohet me LDK-në për të formuar qeverinë e ardhshme, pas zgjedhjeve të 6 tetorit.

Pretendenti për kryeministër pas takimit me disa prej sindikalistëve tha se populli ka votuar për ndryshime dhe nuk ka asnjë zgjidhje tjetër, pos koalicionit VV-LDK.

Kurti: S’ka pengesë që nuk e tejkalojmë

“Unë jam optimist se do t’i tejkalojmë të gjitha diferencat e vogla. Në njërën anë ekziston mirëbesimi ynë, në anën tjetër po ashtu dhe dëshira e madhe për ndryshime politike në vendin tonë. Sa i përket rezultateve konkrete nga këto bisedime, natyrisht se do t’iu njoftojmë atëherë kur do t’i kemi ato. Por mos dyshoni në suksesin e plotë të formimit të koalicionit qeverisës se populli me 6 tetor ka vendosur për ndryshime dhe qe besa me zgjedhjet e tij nuk na ka lënë zgjedhjeve neve. Do të bëhet VV-LDK, sepse kështu ka dashur populli… s’ka pengesë që nuk e tejkalojmë”, tha ai.

Për takimin e sotëm, Kurti tha se do të vazhdojnë negociatat aty ku kanë mbetur në ndarjen e përgjegjësive në ekzekutiv.

Kurti: Këto takime do të vazhdojnë aty ku kemi mbetur

“Në këto takime do të vazhdojmë aty ku kemi mbetur, pra përgjegjësitë në ekzekutiv t’i përfundojmë dhe kësisoj harmonizimi qind për qind sa i përket programit qeverisës t’ia bashkëngjisim edhe ndarjen qind për qind të përgjegjësive në Qeverinë e ardhshme”, tha Kurti.

Sot rreth orës 17:00 në ambientet e Kuvendit të Kosovës pritet të takohen Kurti-Mustafa pas një pauze dhjetëditëshe ku u shpërfaqën dallimet për disa nga postet ministrore dhe postin e presidentit.

Share.