Besimin që ia dha më 3 shkurt të këtij viti, Kuvendi i Kosovës qeverisë Kurti për të udhëhequr ekzekutivin, ia mori mbrëmë para mesnate duke e rrëzuar atë. Më 82 vota për, Kuvendi i Kosovës votoi mosbesimin ndaj qeverisë së Kosovës, të iniciuar nga partneri i koalicionit, Lidhja Demokratike e Kosovës. Qeveria tani është në detyrë dhe pritet që presidenti i vendit të procedojë tutje, duke i ftuar partitë politike që janë pjesë e Kuvendit, për të gjetur mundësinë e krijimit të një qeverie e re, apo shpalljes së zgjedhjeve të jashtëzakonshme.

E meqenëse edhe në Kosovë, sikur në të gjithë botën është përhapur virusi COVID-19 dhe vendi ndodhet në gjendje emergjente shëndetësorë, mbajtja e zgjedhjeve në këtë kohë nuk parashihet si opsion i afërt, veçse krijimi i një qeverisë gjithëpërfshirëse apo teknike.

Qeveria Kurti, e c ila u shkarkua nga Kuvendi i Kosovës, mbetët në detyrë deri në zgjedhjen e një qeverie të re, e cila do të bëhet qoftë nga zgjedhjet e reja apo përmes formimit të saj brenda legjislaturës ekzistuese.

Albert Kransiqi nga Demokracia Plus, shpjegon për KosovaPress, mundësitë kushtetuese që parashihen nga ana e presidentit në situate të tilla.

Ai thotë se presidenti mund të fillojë menjëherë procedurat për të gjetur një kandidat të ri për të nominuar për kryeministër, e që së pari këtë duhet ta kërkojë nga Lëvizja Vetëvendosje, si partia e dalë fituese në zgjedhjet e fundit parlamentare.

Krasniqi: Presidenti tani duhet të fillojë procedurat për të gjetur kandidatin e ri për ta nominuar për kryeministër

“Tani, presidenti i vendit ka dy opsione para vetës, opsioni i parë është të fillojë procedurat për të gjetur një kandidat të ri për ta nominuar për kryeministër, dhe në këtë rast duhet të kërkojë nga Lëvizja Vetëvendosje si subjekti që ka dalë i pari në zgjedhjet e fundit parlamentare që të nominojë një kandidat të ri për kryeministër, ky kandidat nuk mund të jetë sërish zoti Kurti për shkak se ka humbur besimin gjatë kësaj legjislature. Mirëpo nëse Lëvizja Vetëvendosje nuk ka kandidat atëherë duhet që presidenti brenda dhjetë ditëve të tjera, pra pas refuzimit të Lëvizjes Vetëvendosje, pra pas dështimit të zgjedh një kryeministër ri, atëherë duhet që të shikojë se cila prej partive politike parlamentare apo koalicioneve në Kuvend ka më shumë gjasa për të formuar një qeveri të re”, shpjegon Krasniqi.

Ai shton se nëse Lëvizja Vetëvendosje e dërgon një kandidat të ri dhe gjen mbështetje prej shumicës së deputetëve, atëherë mund të vazhdojë mandatin e mbetur.

Tjetër mundësi që presidenti e ka para vetës, Krasniqi thotë se ësht shpërndarja e Kuvendit përmes dekretit.

Krasniqi: Opsioni i dytë është shpërndarja e Kuvendit me dekret të presidentit

“Opsioni i dytë është që presidenti përmes një dekreti të shpërndajë Kuvendin dhe vendi të shkojë në zgjedhje të jashtëzakonshme. Mirëpo duke qenë në këtë situatë të pandemisë, ku institucionet duhet të jenë të fokusuara në kryerjen e punëve të tyre, dhe duke parë që qytetarët nuk do të mund të dalin në zgjedhje për të votuar për një përbërje të re, atëherë opsioni i parë që të provohet të gjendet një kandidat i ri për kryeministër brenda kësaj legjislature është opsion më realist”, thotë Krasniqi.

Megjithatë, Kraniqi thekson se inicimi i mocionit të mosbesimit në këtë periudhë kritike për vendin është veprim i gabuar.

Sipas tij, është dashur të pritet të kalojë emergjenca shëndetëso re dhe pastaj partnerët të provojë të gjejnë zgjidhje apo edhe të prishin koalicionin.

Ndërsa analisti politik, Ramush Tahiri e sheh të mundshme formimin ne një qeverie të re nga LDK, në bashkëpunim me Aleancën dhe Nismën.

Tahiri: LDK mund të formojë qeverinë me 67 deputetë, bashkë me partitë e tjera opozitare

“Lirisht gjatë konsultimeve të partive politike këtë mandat mund të t’ia jap LDK-së e cila për momentin i ka 28 deputetë, dhe LDK, po e jap një variant, mund të bëjë qeverinë me AAK-në që i ka 13 deputetë, me Nismën që i ka katër deputetë, me Pacollin që i ka dy deputetë, me Listën Serbe që i ka dhjetë deputetë dhe minoritet e tjera që i kanë dhjetë deputetë, që gjithsej bëjnë 67 deputetë. Qeveria e LDK-së mund të ketë përkrahjen me vota në zgjedhje në Kuvend edhe nga PDK, sepse lideri i saj Kadri Veseli ka deklaruar se ata do të jenë kons truktiv në punën e qeverisë deri në zgjedhjet e ardhshme parlamentare dhe deri në kapërcimin e krizës, por do të jenë opozitë konstruktive”, thotë Tahiri.

Pasi Kuvendi rrëzoi mbrëmë qeverinë Kurti, kryeministri njoftoi se ka liruar nga detyra vartësin e tij të parë, që ishte nga LDK, Avdullah Hotin.

Ndërsa sot, kryetari i LDK-së, Isa Mustafa ka thënë se nuk do t’i tërheq njëanshëm ministrat dhe zëvendësministrat nga detyra e tyre në qeverinë që ai e ka quajtur në dorëheqje.

Albert Krasniqi nga Demokracia Plus thotë se ministrat e LDK-së dhe Vetëvendosjes duhet të ruajnë frymën e bashkëpunimit në mes vete dhe të i sigurojnë një kontinuitet të qeverisë, dhe funksionalitet të saj, sepse në të kundërtën dëmtohen qytetarët në këtë kohë pandemie.

Ai thotë se veprimi i djeshëm i Kurtit për të shkarkuar Hotin ishte i pamatur.

Krasniqi: LDK me partnerët e ri potencial mund të ket ë dëmtim elektoral

“Kisha bërë thirrje për maturi dhe partitë të tregohen të përgjegjshme për rolet të cilat i kanë. Nga ajo se kush humb, jemi se në çfarë situate që jemi dhe ndoshta nuk është koha të bëhen kalkulime të tilla mirëpo shihet qartë që Lëvizja Vetëvendosje ka dalë më e viktimizuar nga ky proces dhe ata do të dëshirojnë që ta materializojnë këtë në votë qoftë edhe duke kërkuar zgjedhje të parakohshme në një kohë sa më të shpejtë të mundshme, kurse LDK me partnerët e ri të saj potencial të cilët mund të jenë, që aktualisht janë në opozitë, mendoj që do të kenë një dëmtim më të madh në aspektin elektoral, që ata do të tentojnë tani që përmes formimit të një qeverie të re, ta amortizojnë këtë mllef i cili është akumuluar në drejtim të tyre”, thotë ai.

Sot, një ditë pas rrëzimit të qeverisë, kryeministri Al bin Kurti ka shkruar se do të vazhdojnë punën e tyre, meqë siç ka thënë ai, janë qeveri me detyra dhe jo qeveri e detyruar.

Qeveria e Kosovës, në krye me Albin Kurtin është luhatur për shkak të mos pajtimeve që ka pasur me partnerin e koalicionit, LDK-në, lidhur me taksën qind për qind.

Problemet në mes tyre u theksuan edhe më shumë me veprimin e Kurtit i cili shkarkoi nga posti i ministrit të Brendshëm, Agim Veliun e LDK-së.

Kjo rezultoi me inicimin e një mocioni të mosbesimit nga vet LDK, që më 25 mars u votua më 82 vota për, 32 kundër dhe një abstenim.

Share.