Në fillim të seancës së jashtëzakonshme të thirrur nga PDK-ja, shefi i Grupit Parlamentar, Bedri Hamza, ka kërkuar që të hidhët në votim një mocion, i cili do të fuste në rend të ditës diskutimin dhe aprovimin e projektligjeve të propozuara nga PDK për situatën ekonomike të krijuar nga Covid 19.

Hamza: Unë i lus që ky mocion të vendoset në votim

“Nëse këto ligje nuk futën në procedurë dhe nuk aprovohen, atëherë edhe masat e ndërmarra nga Qeveria bien ndesh edhe me ligjin për Ndarje Buxhetore për vitin 2020, edhe me ligjin për Menaxhimin e Financave Publike dhe Përgjegjësitë, dhe bien ndesh edhe me Kushtetutën. Ne po i lusim të gjitha grupet parlamentare që t’i fusim në procedurë, t’i diskutojmë, nëse ka propozime tjera, diçka me heq, diçka me shtu, ne jemi të gatshëm. Unë i lus që ky mocion të vendoset në votim, dhe i lus deputetët që kët o dy projektligje të futën në votim”, ka deklaruar ai.

Por ky propozim i Hamzës u hedh poshtë nga kryetarja e Kuvendit, Vjosa Osmani.

Ajo tha se nuk mund ta vendos në seancën e sotme në votim, pasi ajo thotë se sipas komentarit, nuk mund të caktohen pikat e rendit të ditës të seancës së jashtëzakonshme gjatë saj.

Osmani: Nuk mund ta vendos në votim mocionin tuaj

 

“Rendi i ditës për situatë të jashtëzakonshme duhet të caktohet paraprakisht dhe të mos ndryshohet në seancë, prandaj nuk mund ta vendos në votim mocionin tuaj”, ka thënë Osmani.

Kuvendi më pas ka shkuar në pauzë 10 minuta me kërkesë të Hamzës për konsultime

Share.