Ministri në detyrë i Shëndetësisë, Uran Ismaili, së bashku me ambasadoren e Luksemburgut në Kosovë, Natacha Gomes, kanë përuruar sot CT-në 128 shtresore në Spitalin e Përgjithshëm të Gjilanit, e cila është e para e këtij lloji në institucionet publike shëndetësore në Kosovë.

CT-ja 128 shtresore në vlerë prej 400 mijë euro është donacion i Qeverisë së Luksemburgut, që përmes programit përkrahës për shëndetësi në Kosovë tani e disa vjet i ka dhënë ndihmë reformave dhe avancimit të shërbimeve shëndetësore.

Ismaili ka uruar profesionistët shëndetësorë të Spitalit të Përgjithshëm të Gjilanit për këtë pajisjet e reja, duke thënë se kjo është në vazhdën e modernizimit të sistemit shëndetësor në Kosovë.

Ai ka falënderuar edhe Qeverinë e Luksemburgut për mbështetjen e vazhdueshme për shëndetësinë kosovare.

“Falënderim i veçantë për qeverinë e Luksemburgut për ndihmën që na ka ofruar dhe kjo ndihmë nuk ndodh vetëm sot , por Luksemburgu me dekada jep ndihmë për Kosovën. Kemi një pajisje, e cila  është më modernia në Kosovë e cila ngrit shërbimet tona që nuk kemi pas ndonjëherë këtu në Kosovë dhe gjitha këto vijnë për qytetarët që ata të mos presin me javë dhe kjo tregon që modernizimi i spitaleve tona ndihmon qytetarët tanë të mos shpenzojnë para”, tha Ismaili.

Ambasadorja, Natacha Gomes, tha se Luksemburgu e ka përkrahë Kosovën tash e 20 vjet dhe kjo pajisje dëgjova se është më e avancuara në Kosovë.

Drejtori i ShSKUK-së, Basri Sejdiu, tha se përfituesit më të mëdhenj do të jenë pacientët.

“Një falënderim i madh për Qeverinë e Luksemburgut dhe përfituesit më të mëdhenj janë këtu pacientët dhe një prej hallkave më të rëndësishme është kjo CT dhe do të ngritet niveli profesional të trajtimit të pacientëve”, deklaroi ai.

Nistret Hajrullahu, drejtor i Spitalit të Përgjithshëm të Gjilanit, tha ky donacion do të ndihmojë për t’u shërbyer pacientëve në kohën e duhur dhe gjithçka këtu është rinovuar dhe në financim ka marr pjesë edhe ShSKUK dhe komplet kabineti i CT është kompletuar dhe është  prej teknologjive më të reja dhe është aparati i parë në spital.

Gjithashtu, 100 mijë euro shtesë janë ndarë edhe për pajisje të tjera për këtë spital.

Share.