Katër raste të krimeve të luftës po qëndrojnë pezull në Gjykatën Themelore në Mitrovicë.

Ndërkaq, gjatë vitit të kaluar janë arrestuar pesë persona për krime lufte dhe janë ngritur tri aktakuza.

Që nga përfundimi i luftës janë vetëm 70 të dënuar nga gjykatat vendore e ndërkombëtare për krime lufte, ndërkohë që janë vrarë mbi 10 mijë viktima civile.

Kështu u tha me rastin e publikimit të raportit të Fondit për të Drejtën Humanitare, në kuadër të diskutimit “Gjykimi i krimeve të luftës në mungesë – Veprim i duhur?”.

Aty u theksua se efikasiteti në këtë fushë nuk është i kënaqshëm.

Koordinatori i projektit, Amer Alija ka prezantuar raportin “Gjykimet për krimet e luftës: pa përparim të dukshëm”, ku tha se gjatë vitit 2022 janë arrestuar pesë persona për krime të luftës.

“Gjatë vitit 2022 janë arrestuar pesë persona për krime lufte në Kosovë, nën dyshimin që kanë kryer veprën penale të krimit të luftës në Kosovë. Po ashtu, gjatë këtij viti Zyra e Prokurorisë Speciale ka ngritur tri aktakuza në drejtim të veprës penale, krimi i luftës kundër popullatës civile. Përmes titullit ‘Gjykimet për krimet e luftës: pa përparim të dukshëm’, fondi e përcjell një mesazh te publiku dhe institucionet përgjegjëse për gjendjen aktuale të rasteve të krimeve të luftës. Që nga përfundimi i luftës në Kosovë, institucionet gjyqësore, qoftë vendore apo ndërkombëtare i kanë dënuar vetëm 72 persona për krimet e luftës në Kosovë, në anën tjerë janë vrarë më shumë se 10 mijë viktima civile”, ka theksuar Alija.

Në këtë raport theksohen edhe vonesat që rrezikojnë efikasitetin në procesin gjyqësor, ku katër raste kanë mbetur pezull në Gjykatën Themelore në Mitrovicë.

“Në këtë raport janë trajtuar 13 raste gjyqësore, të cilat janë trajtuar nga gjykatat e Kosovës në instanca të ndryshme. Në Departamentin Special në Gjykatën Themelore të Prishtinës dhe të Gjykatës së Apelit është rritur puna e gjyqtarëve, si dhe cilësia e përpilimit të vendimeve gjyqësore. Por, në anën tjetër në Gjykatën Themelore të Mitrovicës e kemi një stagnim të punës të katër rasteve gjyqësore, të cilat janë duke qëndruar pezull që nga përfundimi i mandatit ekzekutiv të EULEX-it. Vonesa të tilla mund të rrezikojnë efektivitetin dhe kredibilitetin e një rasti gjyqësor. Në anën tjetër, viktimat dhe dëshmitarët të cilët kanë pritur me dekada për të dëshmuar, sigurisht që do të zhgënjehen nga mosveprimet adekuate të kësaj gjykate. Efikasiteti në ndjekjen penale të krimeve të luftës nuk është i kënaqshëm”, ka shtuar Alija.

Prokurorja speciale, Drita Hajdari u shpreh se pas pranimit të mbi 900 rasteve për krime lufte nga misioni i EULEX-it kanë pranuar numër të madh të dosjeve për personat e zhdukur.

“Shumica e provave materiale në gjenden në Tribunalin e Hagës, atje janë diku 11 milionë të provave të ndryshme. Nuk po them që i referohen të gjitha Kosovës, por është numri i provave, informacioneve të cilat gjenden atje. Në fund të vitit të kaluar, unë me një ekip nga Prokuroria Speciale e kemi vizituar mekanizmin e Tribunalit të Hagës, ku jam takuar me përfaqësuesit e Tribunalit dhe na është premtuar që sipas kërkesave tona, do të na përgjigjen dhe do të na dërgojnë provat të cilat na nevojiten”, ka njoftuar Hajdari.

Veç tjerash, ajo shtoi se me miliona prova të tjera janë të bllokuara në databazën e UNMIK-ut dhe se kanë bërë përpjekje për sigurimin e tyre.

“Ne jemi në përgatitje të hartimit të disa aktakuzave të tilla në mungesë”, ka thënë shkurt Hajdari.

Më tej, ajo shtoi se kanë vendosur prioritete në trajtimin e rasteve të masakrave, dhunimeve seksuale dhe të rasteve të tjera ku ka prova të mjaftueshme të krimeve.

Se gjykimi në mungesë ka qenë domosdoshmëri e tha avokati Artan Qerkini.

“Kodi i Procedurës Penale ka hyrë në fuqi me datën 18 shkurt të këtij viti. Natyrisht aty janë paraparë disa veprime që duhet t’i ndërmerr organi shtetëror para se të procedojë me gjykimin në mungesë. Do të kërkohet që ftesa së bashku me aktakuzën të publikohen në ueb-faqen e prokurorisë, të publikohen në ueb-faqen e gjykatës, ftesa dhe aktakuza të publikohet dhe në gazetën zyrtare. Dhe të gjitha këto para se paraprakisht është lëshuar urdhër-arresti dhe letërlëshimi ndërkombëtar. Është një garanci shtesë për të pandehurin, nëse ai arrestohet i garantohet e drejta që të kërkojë rigjykim”, u shpreh ai.

Zëvendësshefja e Misionit në Ambasadën e Zvicrës në Kosovë, Pualine Menthonnex Gacaferri tha se bashkëpunimi mes autoriteteve të Kosovës e Serbisë është thelbësor për të arritur progres.

“Deri më tani në Kosovë nuk ka pasur gjykim në mungesë, të cilat për mendimin tonë do të shkonin kundrejt praktikave të përgjithshme që vërehen dhe promovohen në arenën e sundimit ndërkombëtar të ligjit. Këto sfida të cilat ritheksohen nga raporti, janë përkthyer në një varg rekomandimesh. Për të ngritur akoma më shumë performancën e institucioneve dhe për të ofruar kapacitete të mëtutjeshme, shkëmbim të mëtutjeshëm me regjionet dhe institucionet tjera përkatëse, së dyti themelimi i bashkëpunimit mes autoriteteve gjyqësore mes Kosovës dhe Serbisë do të ishte thelbësore për të bërë progres”, tha ajo.

Nga korriku i vitit 2019 deri në fund të vitit të kaluar, tri herë janë bërë ndryshimet ligjore.

Në raportin e Fondit për të Drejtën Humanitare theksohet se sa herë janë bërë këtë ndryshime, kushtet për fillimin e gjykimeve në mungesë janë zbutur.

/TV Malisheva

Share.