Policia e Kosovës ka dhënë detaje të reja lidhur me shpërthimin që ndodhi këtë të mërkurë në tregun e kafshëve në Prizren, ku si pasojë u lënduan 10 persona.

Sipas njoftimit, gjithçka ka nisur për shkak të një mosmarrëveshjeje të çastit ndërmjet tregtarëve të kafshëve.

Tutje bëhet e ditur se tregtarët janë përshirë në një rrahje e më pas dy prej tyre kanë hedhur një mjet shpërthyes (lloji i panjohur për momentin).

Fillimisht janë dhënë informacione për tre persona të dyshuar, por më vonë me zhvillimin e hetimeve policia ka gjetur se dy persona janë kryerës të kësaj vepre penale.

“Fillimisht janë dhënë informacione për tre persona të dyshuar që më vonë me zhvillimin e hetimeve policia ka gjetur se dy persona kanë qenë si kryes të veprës penale, te cilët janë identifikuar dhe policia ka filluar kërkimin për ndalimin e tyre, pasi pas një mosmarrëveshjeje te çastit ndërmjet tregtareve te kafshëve fillimisht ka filluar një rrahje ndërmjet viktimave dhe te dyshuarve ku ne një moment te dyshuarit aktivizojnë dhe hedhin një mjet shpërthyes (lloji i panjohur për momentin)”, thuhet në komunikatën për media.

Po ashtu, është bërë e ditur se gjatë operacionit policor, përveç në vendin e ngjarjes, janë kryer kontrolle edhe në Komunën e Gjilanit, ku është lokalizuar i dyshuari R.M, i lindur në vitin 1982.

“I njëjti është shoqëruar në polici për procedura të mëtejme hetimore dhe me vendim të Prokurorit të Shtetit ndalohet në afat prej 48-orë, ndërsa operacioni policor është duke vazhduar në kërkim të personit të dytë të dyshuar, ku janë realizuar bastisje në shtëpinë e tij. Policia rajonale në Prizren së bashku me Prokurorinë e Shtetit është duke punuar që të sqarohet në tërësi rasti i ndodhur te tregu i kafshëve në Prizren, ndërsa për të gjitha të gjeturat do të ju mbaj të informuar”, përfundon njoftimi.

/TV Malisheva

 

Share.