Pas rasteve të para me koronavirus në Kosovë dhe pas shpalljes së gjendjes emergjente në sektorin e shëndetit publik, qytetarët duket se janë në panik për të siguruar artikuj ushqimorë, përfshirë edhe miellin si një artikull elementar për jetë.
Në mullirin e miellit “Vëllazërimi” në fshatin Sekiraq të Komunës së Podujevës thonë se për shkak të kërkesave të mëdha të konsumatorëve, ata janë të detyruar të punojnë 24 orë.
Qytetarët kanë krijuar kolona të gjata para mullirit në pritje për t’u furnizuar me miell, e krejt kjo sipas tyre për shkak se në markete është vështirë të gjendet ky produkt.
Pronari i mullirit “Vëllazërimi” në Sekiraq, Besim Ejupi për KosovaPress duke folur për radhët e krijuar para mullirit, thotë se më shumë është pa nik sesa nevojë
Ejupi theksoi se, kapacitetet prodhuese të këtij mulliri, nuk janë për gjithë këtë fluks, mirëpo ai tha se po mundohen të gjithë t’i furnizojnë me nga 50 kilogramë.
Ejupi: Më shumë panik sesa nevojë
“Kapacitetet prodhuese janë jo për gjithë këtë popullatë që po kërkon miell, por me mundësitë tona po ia dalim për të gjithë nga 50 kilogramë. Për të gjithë fermerët që kanë deponuar në mullirin tonë edhe për një kohë relativisht të gjatë, nuk e di saktësisht sa muaj, por së paku 3 muaj me kapacitet 24 orë. Sigurisht që është më shumë panik sepse të gjithë janë furnizuar me nga një sasi të miellit, janë duke ardhur për herë të dytë të marrin, kjo vërehet që është më shumë panik se sa nevojë”, u shpreh Ejupi
Në rend për të blerë miell ishte edhe Ramush Tovërlani i cili thotë për KosovaPress se, qe nga ora 3 e mëngjesit janë detyruar të presin në radhë.
Ai theksoi se, tërë këto pritje para mullirit po i bëjnë për shkak se në markete nuk ka miell.
Tovërlani: Kam ardhur që në orën 03:00 për të zënë radhën
“Ne kemi ardhur në 03:00 të mëngjesit, e kemi zënë radhën, e kemi marrë numrin, tash jemi tu prit me numër me radhë deri sa të vjen radha. Mu personalisht, se unë nuk kom sjellë gruan, më herët m’i dhanë 25 kilogramë. Momentin që nëpër shitore nuk ka miell, ka vend edhe për panik”, tha Toverlani
Edhe Hasan Mulolli po priste në radhë nga ora 04:00 e mëngjesit. Ai tha se nuk ka vend për panik por që blerja e miellit po i bën të ndjehen më të sigurtë.
Ai nuk pati ndonjë ankesë sa i përket respektimit të radhës.
Mulolli: Nuk ka vend për panik, por blej të jem më i sigurt
“Sot nga ora 04:00 e mëngjesit kemi ardhur me prit radhën sepse këtu është radha e cila po respektohet shumë mirë. .Nëpër markete është e vërtet që nuk ka miell, nuk e di arsyen, mirëpo nga fjalët e ministrit që po thotë kemi rezerva të mjaftueshme, nuk ka vend për panikë, por megjithatë ne po marrim masa që të kemi së paku për një muaj apo me tepër”, tha Mulolli.
Radha nëpër mullinjtë në të gjithë vendin është shtuar ndjeshëm pas rasteve të para me koronavirus në Kosovë. Por, Qeveria e Kosovës ka apeluar që të mos bëhet panik pasi ka rezerva të mjaftueshme ndërkohë që furrat dhe marketet po vijojnë punën./Q.Rexhaj/