Në oborrin e Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare në Prishtinë është vendosur tuneli dezinfektues, ku qytetarët do të kalojnë para se të hyjnë në tendën e vendosur për të kontrolluar të dyshuarit me Covid-19.
Komuna e Prishtinës në bashkëpunim me kompaninë vendore “Te Pema” e kanë bërë përurimin sot, aty kryetari i Prishtinës u ka bërë thirrje qytetarëve që të qëndrojnë në shtëpi pavarësisht vendimeve për kufizim të lëvizjes.
Shpend Ahmeti tha se vlerëson që më mirë është që të merret një vendim i njëjtë në të gjithë Kosovën, për kufizim të lëvizjes, pas 13 prillit kur hyn në fuqi aktvendimi i Kushtetueses.
Ai tha se janë në konsultim me kryetarët e komunave në të gjithë Kosovën, dhe nesër gjithashtu pret ta takojë kryetaren në detyrë të Kuvendit të Kosovës, Vjosa Osmanin dhe ministrin në detyrë të Shëndetësisë Arben Vitia.
Ai tha se një tunel i tillë ka mundësi që të bëhet edhe në objektin e Komunës së Prishtinës, për shkak të lëvizjeve të qytetarëve.
Ahmeti gjithashtu bëri të ditur se nesër Komuna e Prishtinës ka thirrur mbledhje të Kuvendit Komunal për të prezantuar pakon 10-pikëshe të komunës për masat që po merren në aspektin ekonomik.
Ai tha se do të prezantojnë edhe një program që kërkon nivelin qendror që të intervenojë, i cili ka të bëjë me grante për biznese në komunën e Prishtinës.
Deri tani në Prishtinë janë 25 raste të infektuar me Covid-19./ Tv Malisheva