Sot është promovuar libri “Lëvizjet studentore për Republikën e Kosovës” i autorit Atdhe Hetemit, libër ky që konsiderohet të jetë një pasqyrë e thellë dhe hap rrugë për hulumtim të mëtejmë mbi rolin e Universitetit të Prishtinës gjatë periudhës 1999-2020.

Profesori i sociologjisë, Shemsi Krasniqi, tha se ky libër është një studim i thelluar i asaj kohe, teksa dha një përshkrim të shkurtër rreth përmbajtjes së tij.

Krasniqi: Libri i Atdhe Hetemit, studim i thelluar i lëvizjeve studentore në Kosovë

“Libri që po e promovojmë sot është një studim i thelluar i lëvizjeve studentore në Kosovë, i atyre lëvizjeve në Republikën e Kosovës, të cilat jo vetëm që bënë bujë në arenën rajonale dhe ndërkombëtare, por bënë edhe ndryshimin të cilin e kërkonte koha… Libri fillimisht është i botuar në Londër e pastaj është përkthyer shqip dhe është botuar nga Artini në vitin 2020 në Prishtinë… Për secilin rast të lëvizjeve studentore në Kosovë, autori e përdorë skemën para, gjatë dhe pas protestës. E konsideroj shumë të qëlluar, sepse konflikti shoqëror e ka një parahistori, e ka fazën zhvillimore dhe në fund fazën e post-konfliktit”, tha ai.

Edhe profesori Gëzim Selaçi tha se teza kryesore e këtij libri është se tri demonstratat studentore luajtën rol shumë të rëndësishëm në rrugën e gjatë drejt çlirimit dhe pavarësisë së shtetit të Kosovës.

Selaçi: Libri vë në pah se lëvizjet studentore ishin vendimtare në rrugën drejt pavarësisë së Kosovës

“Teza kryesore e librit është se këto tri demonstrata studentore ishin vendimtare në zhvillimin e ngjarjeve, të cilat çuan në pavarësinë e Kosovës, meqenëse ruajtën vizionin për Republikën e Kosovës si dhe luajtën rol në mobilizimin politik të shoqërisë kosovare dhe ngritjen çështjes në nivel ndërkombëtar… Libri i Atdheut hap një dritare për të vrojtuar një temë që pret të hulumtohet – ndërveprimin e universitetit me politikën, do të thotë rolin politik të universitetit në shoqëri si dhe ndërhyrjen e politikës në universitet, që ky libër nuk i përfshinë”, tha ai.

Ndonëse libri është promovuar edhe në qytete tjera në botë, autori Atdhe Hetemi u shpreh i lumtur që po promovon librin e tij edhe në Kosovë.

Hetemi: Jam shumë i lumtur që ky libër është vlerësuar edhe nga kolegët në UP

“Jam shumë i lumtur që puna ime është vlerësuar edhe nga kolegët këtu në UP… Ky libër ka lindur si rezultat i interesimit tim për historinë politike të periudhës bashkëkohore të Ballkanit Perëndimor, dhe ajo që më ka shtyrë të studiojë filozofinë është filozofia e saj më shumë humane, sesa shkencore… Ndjeja përgjegjësi që historia e UP-së nuk ishte e hulumtuar dhe studiuar sa duhet”, tha Hetemi.

Ndryshe, libri “Lëvizjet studentore për Republikën e Kosovës” shqyrton rolet e lëvizjeve studentore të viteve 1968, 1981 dhe 1997 në Kosovë, në formësimin e historisë dhe statusit politik të asaj çfarë sot është Republika e Kosovës./TV Malisheva

Share.