Në gjykatën e Tiranës pritet që ditën e sotme të jepen vendimet për masat e sigurisë ndaj të arrestuarve për ditën e dytë dhe të tretë të protestës në Tiranë, nxitur nga vrasja e Klodian Rashës nga një efektiv policie më 8 dhjetor.

Gazetarja e Ora News Keti Banushi në një lidhje direkte për edicionin e lajmeve nga ambientet e Gjykatës raportoi se janë 49 të arrestuar që iu përkasin moshave 14 deri në 25 vjeç, të cilët presin të dalin para Gjykatës.

“Ditën e sotme janë në Gjykatë 42 të arrestuarit e ditës së dytë të protestës, ndërkohë që janë dhe 7 të arrestuarit e ditës së 3 . Pra kemi në total 49 të arrestuar të cilët priten të dalin ditën e sotme para Gjykatës. Theksoj që të gjithë janë mosha të reja që nga 14 deri në 25 vjeç. Seancat kanë nisur në orën 9:30 të paradites së sotme.”

Ajo tha se Gjykata ka publikuar listat e emrave të personave që do të dalin sot në Gjykatë për familjarët të cilët presin në ambientet e jashtme.

“Gjithë pjesa e gjykatës është e rrethuar me forca policore dhe familjarë të cilët janë në pritje të të afërmeve të tyre. Në ambientet e jashtme të Gjykatës janë publikuar listat ku janë emrat e të gjithë personave që do të dalin para gjykatës. Për momentin është pezulluar puna për proceset e tjera gjyqësore” raporton gazetarja e Ora News Keti Banushi./TV Malisheva

Share.